
Një ngjarje e rëndë është shënuar mesditën e sotme në Shkodër, pasi raportohet se një person ka mbetur i plagosur.
Ngjarja ka ndodhur në lagjen "Partizani", në afërsi të kopshtit “Tom Kola”, ku një 62-vjeçar është goditur me sende të forta në kokë dhe si pasojë e plagëve të marra ai është dërguar për të marrë ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Shkodrës.
Mësohet se 62-vjeçari, Vladimi Bruçi është përfshirë në një sherr me një persona tjetër, ndërsa nuk bëhen të ditura shkaqet e këtij konflikti.
Efektivët e policisë së Shkodrës ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për zbardhjen e rrethanave, si dhe identifikimin e kapjen e autorit përgjegjës.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 14:40, në lagjen “Partizani”, dyshohet se gjatë një konflikti, është dëmtuar me sende të forta, në kokë, shtetasi V. B., 62 vjeç, i cili po merr ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal Shkodër.
Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe vijojnë kontrollet për kapjen e autorit.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit.