Nga Albina Hoxhaj
Ishte mëngjesi i një prej atyre ditëve të çmendura ndërsa nxiton të bëhesh gati shumë shpejt se e kupton se njësia matëse e kohës nuk është në porporcionin e duhur me atë të aktivitetit, kur duke menduar të dilte sa më parë nga dushi, mbeti e ngrirë aty. Për shumë minuta.
Me njëmijë e një mendime që do ta transformonin mëngjesin e asaj dite dhe atyre më pas sa në tragjedi, aq në përpjekje, por mbi të gjitha shpresë, besim. “Një kohë e pakohë”, fiks si në këngën e Rona Nishliut që edhe Ilda si cdokush tjetër në Shqipëri e mbante mend jo vetëm për atë ulërimën cjerrëse që i dilte nga thellësia e shpirtit dhe e kokës si piskamë e pambarimtë, por për tekstin e guximshëm.
E kishte parë jetën e vet të ishte e përfshirë në gjëra të mëdha dhe të vogla njëkohësisht, por në mënyrë të pashmangshme kërkonte kënaqësitë e jetës që deri më tani, i kishin ardhur krejt natyrshëm. Por fiks në atë moment me mendje gjykonte se do vihej përballë një sfide që i duhej të përballonte: dhimbjen e jetës në rrethana të vështira, madje të pazakonta. Ishte duke kapur të 34 vjetët e jetës; kishte pasur sukses në shkollë e në punë; e kishte plotësuar tanimë jetën me vajzën e vet që sapo kishte mbushur të 10-at dhe me të cilën kishte atë marrëdhënien e paqtë dhe plot sharm; ishte totalisht e plotësuar në shtëpi dhe familjen e madhe, dhe papritmas, në gjoks identifikoi një gjenderr.
Ndërsa dushi vazhdonte të rridhte, Ilda kapte e rikapte atë masë dhjamore në gjoks, duke i thënë vetes si me zë se asgjë nuk ishte dhe shqetësimi po ishte i kotë; por në subkoshiencë kishte atë idenë e tmerrshme se e kishte menduar këtë sëmundje se do të mbërrinte tek të tjerët, dhe asnjëherë te familjarët e saj e aq më pak tek ajo vetë. Ashtu si e këputur u krodh në një trullosje të shqetësuar. Dhe në atë mjegull të shpirtit e pa veten se nuk ishte në këtë botë dhe iu bë si një vegim a një ëndërr. Uji i ftohtë që filloi të binte nga “mikrofoni i dushit”, e zgjoi, dhe e kujtoi në moment se “nuk kishte kohë të qante” ende pa bërë një vizitë te mjeku.
Ishte një procedurë rutinë për të parë ku ishte, pasi që, para se të shkonte të kryente ekzaminimin e posacëm, e kishte kuptuar se përse bëhej fjalë. Për Ilda Kokonozin, nënën e vajzës 10 vjecare, jeta do të merrte një tjetër drejtim. Pavarësisht se të gjithë e konsideronin të fortë e të guximshme, brenda vetes kishte dhimbje e frikë për të ardhmen që e priste atë dhe familjen e saj. Kur shkoi të bënte ekzaminimet e duhura, për ta shoqëruar ishte nëna e saj. Mjekja me vështrim dëshpërues i bën të qartë se tumori ka evoluar në gradën e dytë dhe tani do t’i duhej kaq shumë punë, sakrificë, këmbëngulje, optimizëm, dëshirë për jetën, ndihmë madje edhe solidaritet në të gjitha vitet që do të pasonin deri kur mjekët të thoshin “stop”: tani je e shëruar.
Në atë moment nuk bënin punë as lotët. Ilda e kujton fare mirë kohën kur me mamanë e vet e “qau me lot” rrugën prej spitalit e deri në shtëpi. Të dyja bashkë. Nuk kishin as forcë e as nuk donin xhanëm ti jepnin vetes kurajo në ato momente, por shpirti po u zbrazde gjithë marazin për fatin e keq shoqëruar me një “pse”, “pse unë? Pse tani që gjithcka është kaq e bukur dhe e realizuar”. “Ishte shumë e vështirë, thuajse e pabesueshme, e papranueshme, shpresoja që do të ishte një gabim apo një ëndërr që do zgjohesha shumë shpejt”.
Artikujt e plotë mund t'i lexoni në numrin e 38-të të Revistës Newsbomb.al, i cili ka dalë në treg nga sot, datë 20 Tetor dhe mund ta gjeni në të gjitha pikat e shitjes, në të gjithë Shqipërinë. Ju mund të abonoheni dhe online, për të lexuar të gjithë revistën, ose artikujt që ju doni!