Është zbardhur dëshmia e gazetarit Ervis Hasanbega dhe efektives së AMP, të cilët akuzohen se publikonin lajme të rrema dhe denigruese për zyrtarët e Policisë së Shtetit.
Gazetari është shprehur se ishte i punësuar në portalin “shqipnews.info”, dhe publikonte lajmet të gatshme që i dërgonte efektivja e AMP-së së Durrësit, Regina Omeri.
“Jam bërë pishman për këtë punë. E kuptova që ishte e rrezikshme, por më duheshin paratë. Duhet të kisha dyshuar në materialet që më jepnin ata, para se t’i publikoja, duhet të kisha bërë një verifikim. Kisha kohe që s’më zinte gjumi nga kjo. Jam penduar. Publikoja lajmet që më sillnin. Isha i punësuar në portal. Lajmet mi sillte Regina Omeri”, ka thënë ai para uniformave blu.
E duket se fajin për lajmet e rrema e hedhin nga njëri te tjetri. Teksa gazetari drejton gishtin nga efektivja e AMP. Regina Omeri shprehet se lajmet ja niste Kushtrim Selimi, me detyrë shef sektori në Drejtorinë e Përgjithshme të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.
Ajo ka thënë se lajmet ia dërgonte ai të gatshme, pasi kishte inate me drejtuesit e policisë dhe AMPs-ë. Po ashtu e reja është shprehur se nuk kishte asnjë përfitim monetar nga kjo punë.
“Lajmet mi sillte Kushtrim Selimi. Lajmet e rreme publikoheshin se Selimi kishte inate me drejtuesit e policisë dhe AMP-së. Nuk kisha asnjë përfitim”, ka thënë ajo ndër të tjera.
Kujtojmë që mëngjesine sotëm u arrestua Regina Omeri 34 vjeç, punonjëse e AMP-së Durrës dhe gazetari Ervis Hasanaga 35 vjeç.
Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi Kushtrim Selimi, 39 vjeç, me detyrë shef sektori në Drejtorinë e Përgjithshme të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.
Gjatë hetimeve të kryera ka rezultuar se këta tre shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ndryshonin dhe fshinin të dhëna kompjuterike në formate teksti, pa të drejtë, për krijimin e të dhënave të rreme ndaj disa titullarëve të institucioneve të ndryshme, duke denigruar figurën e tyre, me qëllim paraqitjen dhe përdorimin e tyre si autentike, në një faqe interneti.
Burime për media bëjnë me dije se personat në fjalë fshihen pas portalit “shqipnews.info”, ku denigroheshin qëllimisht figurat e zyrtarëvë publik apo publikoheshin lajme të rreme. Burime për media më herët bënë me dije se qëllimi i Selimit ishte që përmes këtyre shkrimeve dhe presionit të emërohej drejtor.