
Prokuroria e Posaçme ka vendosur në sekuestro preventive kompaninë “5D Konstruksion”, me ortakë të vërtetë dhe pronarë “de facto” ish-drejtorët e Bashkisë së Tiranës, Redi Mollën dhe Mariglen Qato, pasi dyshohet se ka përfituar tendera abuzivë.
Përmes një njoftimi zyrtar, organi i akuzës njofton se pas hetimeve të zhvilluara arritën të “zbërthejnë” skemën se si qarkullonin shumtat monetare, duke përfshirë veprimet financiare të kryera nga shoqëria “5D Konstruksion”, sh.p.k brenda aktivitetit të saj tregtar.
Nga hetimet e kryera janë mbledhur prova të mjaftueshme të cilat vërtetojnë se shumat monetare të përfituara në mënyrë të parregullt nga shoqëria “5D Konstruksion” sh.p.k, pjesërisht janë nxjerrë jashtë sistemit bankar nëpërmjet skemës së pagesave për punime fiktive duke u disponuar në gjendje “cash” nga pronarët e vërtetë të shoqërisë tregtare si dhe janë janë ri-investuar në aktivitetin tregtar të “5D Konstruksion”.
Gjithashtu janë mbledhur prova të mëtejshme të cilat vërtetojnë se shumat monetare të përfituara në gjendje “cash” janë përdorur më pas për të investuar në blerjen e pasurive të paluajtshme.
Pasi janë kryer të gjitha veprimet hetimore, Prokuroria e Posaçme kërkoi sekuestrimin e shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k.. Gjithashtu, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me kërkesë të SPAK vuri në sekuestro preventive edhe shoërinë “Restur” sh.p.k, në pronësi të Redi Mollës, ish-drejtorit në Bashkinë e Tiranës i cili aktualisht ndodhet në qeli pasi akuzohet për abuzim me tenderat.
Gjithashtu, janë vënë në sekuestro edhe 24 % të kuotave në shoqërinë tregtare “Mediterranean Investment Group” sh.p.k, me seli në Durrës, rregjistruar në emër të shoqërisë tregtare “Restur” sh.p.k, me ortak dhe administrator Redi Molla, si dhe 2 troje, 2 apartamente , të cilat janë në pronësi të Selim Mollës, Olga Mollës (familjarë të Redi Mollës) Sanije Qato (familjare e Mariglen Qatos).
-Shoqëria tregtare “5D Konstruksion” sh.p.k, së bashku me pasuritë e paluajshme dhe të luajtshme në pronësi të saj, si shoqëri tregtare që është përdorur dhe ka shërbyer si mjet për të realizuar veprat penale, që lejohet të konfiskohet sipas nenit 36/1, shkronja (a) të Kodit Penal.
-Pasuria e paluajtshme e llojit truall me sipërfaqe 506.25 m² dhe ndërtesë me sipërfaqe 164 m², ndodhur rrugën “Tefta Tashko”, Tiranë, rregjistruar në emër të shtetasve Selim Molla dhe Olga Molla, si pasuri e përfituar pjesërisht nga burime financimi që rrjedhin nga produkte të veprës penale.
-Pasuria e paluajtshme e llojit truall me sipërfaqe 51.3 m², ndodhur rrugën “Tefta Tashko”, Tiranë, rregjistruar në emër të shtetasve Selim Molla dhe Olga Molla, si pasuri e përfituar pjesërisht nga burime financimi që rrjedhin nga produkte të veprës penale.
-Shoqëria tregtare “Restur” sh.p.k, së bashku me pasuritë e paluajshme dhe të luajtshme në pronësi të saj, në zotërim të shtetasit Redi Molla, si pasuri vlera e të cilës i korrespondon vlerës së produktit të veprës penale dhe që mund të konfiskohet bazuar në nenin 36/1 shkronja (ç) të Kodit Penal.
-Pasuria 24 % e kuotave në shoqërinë tregtare “Mediterranean Investment Group” sh.p.k, me seli në Durrës, rregjistruar në emër të shoqërisë tregtare “Restur” sh.p.k, me ortak dhe administrator Redi Molla, si pasuri vlera e të cilës i korrespondon vlerës së produktit të veprës penale dhe që mund të konfiskohet bazuar në nenin 36/1 shkronja (ç) të Kodit Penal.
-Pasuria e paluajtshme e llojit apartament me sipërfaqe të përgjithshme 122.7 m², me emërtimin B_43, si dhe pasuritë parkim Nr.P24 me sipërfaqe të përgjithshme 42 m² dhe parkim nr.P25 me sipërfaqe të përgjithshme 42 m², për të cilat është lidhur kontrata e sipërmarrjes midis shtetases Sanie Qato dhe shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k, si pasuri që rrjedh nga produktet e veprës penale dhe për këtë shkak është pasuri që mundet të konfiskohet.
-Pasuria e paluajtshme e llojit apartament me sipërfaqe të përgjithshme 86.4 m², me emërtimin A_42, për të cilën është lidhur kontrata e sipërmarrjes datë 29.09.2023 midis shtetases si pasuri që rrjedh nga produktet e veprës penale dhe për këtë shkak është pasuri që mundet të konfiskohet.