Helena Kadare si asnjëherë më parë ka rrëfyer detaje nga histroia e dashurisë me shkrimtarin e madh Ismail Kadare.
Kapitull pas kapitulli, përballë vogëlushëve kuriozë të “Në Kurthin e Piter Pan” Helena Kadare na ka zbulur nga pak jetën si shkrimtare, grua, bashkëshorte, nënë dhe gjyshe. Ndërsa historia e njohjes dhe dashuria për të madhin Kadare ka qenë ajo që ka kuriozuar më shumë njerëzit.
Ajo tregoi se para se ta takonte dhe të dashurohej me të, i njihte të gjitha poezitë e shkrimtarit, ndërkohë që Ismaili nuk e njihte fare Helenën.
“Ai mori çmimin e Republikës, unë isha nxënëse në gjimnaz dhe të gjithë e dinin që i dija përmendsh të gjitha poezitë e tij dhe më kishin shtruar fotot e tij të gazetës. Ai nuk më njihte fare”, - u shpreh Helena.
Duke treguar detaje të paditura më parë Helena Kadare shtoi:
“Unë botova një tregim te ‘Zëri i Rinisë’. Ai ishte në Moskë, kishte përfunduar studimet këtu dhe kishte shkuar për specializim. Atje shkonin gazetat shqiptare në një hotel në Moskë.
Ai pa këtë tregim dhe më bëri 3 rreshta (ku më shkroi): “Lexova tregimin tuaj, shkruani dhe mos u trembni”. I gjithë gjimnazi e mori vesh këtë gjë që erdhi kjo letër. Pastaj, kur erdhi në Shqipëri, u njohëm rastësisht në rrugë”.
Duket se histroia e dashurisë mes Helenës dhe Ismail Kadaresë vërteton shprehjen “rastësia mbreti i botës”.
Mes të tjerash ajo zbuloi arsyen se përse bashkëshorti i saj nuk i ka dhuruar kurrë një unazë. Tregoi dhe se nuk ka marrë as një propozim martese dhe se ceremonia e tyre kishte nevrikosur njerëzit:
“Nuk më ka dhuruar unazë, sepse ka qenë një brez që e quanin veten shumë modernë dhe përjashtonin zakonet e vjetra. Atëherë ka qenë diçka konservatore, jashtë shijeve tona. Në atë kohë nuk kishte një propozim martese. Unë isha në konvikt, isha studente e vitit të parë dhe ishte ‘Lidhja e Shkrimtarëve’. Ismaili ftoi të gjithë shkrimtarët e ‘Lidhjes së Shkrimtarëve’ dhe unë ftova të gjitha shoqet e konviktit, duke zemëruar jashtëzakonisht shumë farefisin tonë dhe gjithashtu edhe gratë e shkrimtarëve që nuk ishin të ftuara”, - tregoi ajo.
Ajo që e bërë dhe më interesante këtë rrëfim si kurrë më parë ishte se në festën e organizuar nga Helena dhe Ismail Kadare, janë njohur shkrimtari Dritëro Agolli dhe e shoqja Sadija.