Presidenti i Francës, Emmanuel Macron tha sot në Budapest se evropianët nuk duhet "të besojnë vazhdimisht" sigurinë e tyre tek amerikanët dhe duhet më gjerësisht "të mbrojnë interesat e tyre" kundër Shteteve të Bashkuara dhe Kinës .
“Është një moment historik që është vendimtar për ne evropianët. Në fund, pyetja është: a duam të lexojmë Historinë e shkruar nga të tjerët, për luftërat e nisura nga Vladimir Putin, për zgjedhjet amerikane, për zgjedhjet teknologjike dhe tregtare të bëra nga kinezët? Apo duam të shkruajmë histori? Besoj gjithashtu se ne kemi fuqinë ta shkruajmë” , tha presidenti i Francës në nisje të samitit të Komunitetit Politik Evropian.
Macron tha se e uroi Donald Trump , duke kujtuar se :"disa prej nesh rreth kësaj tavoline e kemi njohur atë, katër vjet më parë, në ushtrimin e detyrave të tij". Ai u zgjodh nga populli amerikan dhe do të mbrojë interesat e popullit amerikan dhe kjo është një gjë legjitime dhe e mirë. Çështja është nëse ne jemi gati të mbrojmë interesat e evropianëve” , tha ai, duke theksuar ndër të tjera se interesat e shtetit të tij dhe evropianëve i konsideron si proritet.
“Për mua është e thjeshtë, bota përbëhet nga barngrënës dhe mishngrënës. Nëse vendosim të mbetemi barngrënës, mishngrënësit do të fitojnë dhe ne do të jemi një treg për ta”, shtoi presidenti francez, duke përdorur metaforën për t'i nxitur evropianët që "të paktën të jenë mishngrënës".
“Nuk dua që ne të jemi agresivë, thjesht dua që ne të dimë si të mbrojmë secilën nga këto çështje. Por unë nuk dua të largohem nga Evropa si një fushë e mahnitshme e banuar nga barngrënës që mishngrënësit do të vijnë ta gllabërojnë, sipas axhendës së tyre”, theksoi ai.