
Nga Engjell Serjani
Saranda është një ndër destinacionet më të bukura të Rivierës Shqiptare, e cila vitet e fundit po kryeson statistikat me një numër gjithnjë e në rritje të fluksit të vizitorëve dhe turistëve vendas dhe të huaj. Në Sarandë çdo gjë është mrekullore. Porta e parë prej nga ka hyrë turizmi modern në Shqipëri. Nga Kalaja e Lëkursit, ajo ngjan si një amfiteatër gjigand buzë Jonit. Qëndron hijerëndë aty larg, fare në Jug. Larg dhe afër. Afër dhe larg. Aq larg duket, sidomos sa herë nuk gjen akomodim për të pushuar dy javë aty. Aq afër sa mund të kapësh me dorë valët e Jonit, velat e jahteve dhe lulet me ngjyra lejlaje të bugonvilave unike që kacavjeren fasadave të saj. Një mëngjes u rizgjova me admirimin tim të përhershëm për Sarandën.
U nisa për ta lexuar sërisht e më mirë qytetin që për shqiptarët është konsideruar “Perla e Jonit”. Për mua, Saranda është një metaforë, një mister, një bukuri dhe një dashuri e përjetëshme. Trokitjet e sezonit turistik të verës kanë rikthyer atë ritmin unikal të përditshmerisë sarandiote, të pakrahasueshëm me asnjë qytet tjetër bregdetar. Gjithçka ka nisur më shpejt se çdo sezon tjeter. Mandej edhe noti dhe plazhi sivjet ka nisur me herët. Tani Saranda është një qytet dhe rajon që ka hyrë plot dinjitet në hartën e madhe të turizmit botëror. Dhe pse të mos jetë kështu!? Butrinti dhe Foinike, më të lashta se dhe vetë gurët që shkelin e prekin turistët sot.
Syri i Kaltër, që e sjell kaltërsinë nga thellësitë e malit një thesar i “mëmës” natyrë. Sinagoga në qendër të qytetit një dëshmi e rrallë e historisë hebraike. Manastiri i Dyzet Shënjtorëve dhe Manastiri i Shën Kollit në Mesopotam, dy vlera të krishtërimit të hershëm Bizantin. Kalaja madhështore e Lëkursit një monument i rrallë mbi “supe” të qytetit.
Gjiri i kaltër i Sarandës, ishujt e Ksamilit, Kepi i Stillos, Gjiri i Kakomesë dhe plazhet e Ksamilit, Pasqyrave, Manastirit, Pllakave, Shkëmbi i Pëllumbave, gjiret piktoreske, joshëse dhe relaksuese për pushuesit. Një identitet nga më të spikaturit për turizëm. Gjithë parajsën, e ka marrë mbi supe Saranda. Ke qejf të bëhesh shpend mbi çdo valë dhe dallgë. Në Sarandë turizmi nuk është më një aspirat apo prioritet, por një industri dhe ekonomi fitimprurëse, ku janë investuar miliona Euro, si nga shteti edhe nga investitoret privatë.
QYTETI ME SHUMË EMRA DHE SHUMË LULE Ky është qyteti, që edhe pse në lashtësi ishte vetëm një port i vogël, qysh herët ka qenë i admirueshëm dhe i pranishëm në jetën e shqiptarëve. Në burimet antike qyteti njihej me emrin Onhesmos dhe për herë të parë përmendet në shekullin e dytë para Krishtit....
Në këtë reportazh do të gjeni dhe intervistën me Oltion Çaçin, kryebashkiakun që po ndryshon Sarandën!
Oltion Çaçi, i zgjedhur në krye të bashkisë së Sarandës e sheh qytetin me sytë e biznesit dhe qytetarit. Çfarë duhet bërë më shumë për të tërhequr turistët? Si mund të përmirësojmë infrastrukturën e të jemi më pranë pushuesve me shqetësimet që kanë?
Si mund të zgjerojmë hartën e aktiviteteve për ta bërë qytetin të dëshirueshëm për të gjitha stinët e vitit? Sepse Saranda është e bekuar nga Zoti, por dora e njeriut dhe ndërhyrjet pozitive vetëm mund ta pasurojnë më shumë larminë, shumëllojshmërinë e estetikën e këtij qyteti.
Saranda që tani është përfshirë nga një rishikim rrënjësor dhe Olti Çaçi ka një imagjinatë shumë të gjallë duke ditur të kompozojë në qytetin që drejton nga gjërat e njohura, tek ato të panjohurat e befasueset. E që të besosh në këtë gjë, duhet të jesh i sigurt në veprimet dhe mbështetjen që ke. Në këtë rrëfim për Newsbomb.al, kryebashkiaku i Sarandës na tregon si për ndërhyrjet infrastrukturore aq edhe për kalendarin e aktiviteteve.

Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e 33-të të Revistës Newsbomb.al, i cili ka dalë në treg nga sot, datë 20 Maj dhe mund ta gjeni në të gjitha pikat e shitjes, në të gjithë Shqipërinë. Ju mund të abonoheni dhe online, për të lexuar të gjithë revistën, ose artikujt që ju doni!