Hapësire reklamuese


Aktualitet

Rrumbullaku takim me kreun e Interpol, bisedime për ekstradimin e “bosëve" të krimit që strehohen në Dubai

Shkruar nga Newsbomb
Rrumbullaku takim me kreun e Interpol, bisedime për ekstradimin e
Foto nga takimi

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, priti në një takim Presidentin e INTERPOL-it, Gjeneral Major Ahmed Naser Al-Raisi.

Gjatë këtij takimi është diskutuar forcimi i bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Organizatës Ndërkombëtare të Policisë Kriminale në luftën kundër krimit të organizuar.

Rrumbullaku falënderoi Presidentin e INTERPOL-it për vizitën dhe mundësinë që Policia e Shtetit të mikpriste Konferencën e 51-të Rajonale të INTERPOL-it për Europën, që zhvilloi punimet në Tiranë.

Duket se Rrumbullaku me Gjeneral Major Ahmed Naser Al-Raisi ka prekur dhe çështjen e ekstradimit të personave të shumëkërkuar që janë strehuar në Dubai. Ai tha se personat që janë në kërkim duhet të vendosen para drejtësisë së Shqipërisë.

Ai u shpreh se për Policinë e Shtetit është prioritet shumë i rëndësishëm dorëzimi në duart e drejtësisë i personave të kërkuar për krime të rënda dhe me rrezikshmëri të lartë, si për Shqipërinë, ashtu edhe për vendet ku ata strehohen.

“Ky bashkëpunim, i konsoliduar në shkëmbim informacioni në kohë shumë të shpejtë dhe operacione të përbashkëta, duhet të shkojë edhe më tej, duke u fokusuar edhe në përpjekjen madhore të Policisë së Shtetit dhe agjencive ligjzbatuese të Shqipërisë për vendosjen para drejtësisë të personave në kërkim ndërkombëtar”, u shpreh Rrumbullaku. 

Policia e Shtetit dhe INTERPOL-i ranë dakord të rrisin bashkëpunimin dhe programet e përbashkëta për të luftuar krimin e organizuar ndërshtetëror në të gjitha format e tij, në të gjithë rajonin dhe më gjerë.

Kujtojmë që kërkesa e Rrumbullakut për ekstradim vjen pasi në Dubai kanë gjetur strehim “kokat” e krimit që janë të shumëkërkuar nga drejtësia shqiptare. Për shkak se Shqipëria nuk ka një marrëveshje konkrete me Emiratet e Bashkuara Arabe, ka bërë që disa herë ata të refuzojnë ekstradimin e kriminelëve, siç ka qenë edhe rasti i Eldi Dizdarit, ku Dubai refuzoi ekstradimin e tij.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese