
Ambasada amerikane në Tiranë mbështet propozimin e Partisë Socialiste për një rezolutë antikorrupsion. Ambasada e SHBA në një reagim për mediat përgëzon përpjekjet që po bëhen në luftën kundër korrupsionit dhe shpreh mbështetje për çdo nismë që synon të çojë para përpjekjet për një qeverisje të mirë, luftën kundër korrupsionit dhe sundimin e ligjit.
“Propozimi për të çuar përpara përpjekjet e Shqipërisë që lidhen me qeverisjen e mirë, sundimin e ligjit, dhe anti-korrupsionin është premtues. Si partnerë në mbështetje të Shqipërisë prej kohësh, Shtetet e Bashkuara përgëzojnë përpjekjet që bazohen në suksesin e reformave të mëparshme ndërkohë që bëjnë bashkë grupe politike, shoqërinë civile, biznesin dhe të tjerë për të çuar përpara reformat kritike që janë të nevojshme për rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE dhe bashkësinë euro-atlantike.
Nxisim pjesëmarrjen e të gjithë shqiptarëve që synojnë të përmirësojnë të ardhmen e Shqipërisë dhe presim me kënaqësi të shohim rezultatet e dala nga një proces transparent dhe bashkëpunues”.
Draftrezoluta që PS do të dërgojë në Kuvendin e Shqipërisë, është për hartimin e një Plani Kombëtar Veprimi me masa konkrete për ndryshime të mundshme ligjore dhe institucionale, për sundimin e ligjit dhe Shqipërinë e 2023.
Socialistët kërkojnë bashkëpunim me opozitën për të qenë mbi lartësinë e detyrës dhe për të ngritur një Komision të Posaçëm Parlamentar i cili të adresojë ndërmarrjen e reformave që synojnë MIRËQEVERISJEN, SUNDIMIN E LIGJIT DHE ANTIKORRUPSIONIN PËR SHQIPËRINË 2030 NË BASHKIMIN EUROPIAN.
Por pak pasi kreu i qeverisë Edi Rama prezantoi draft-rezolutën, kreu i PD Lulzim Basha përmes një deklarate tha se nuk e mbështetin rezolutën në Kuvend.
Në dispozicion të këtij procesi do të kërkohet dhe ekspertiza më e mirë vendase e ndërkombëtare (veçanërisht me partnerët strategjik, BE dhe SHBA), dhe do të hartohet një Plan Kombëtar Veprimi me kohështrirje afatgjatë, duke rekomanduar për sa çmohet e nevojshme edhe masa konkrete për ndryshime të mundshme ligjore dhe institucionale të cilat duhet të adresohen në secilën fushë nga institucionet përgjegjëse.
I gjithë procesi që propozohet të ndërmerret dhe mbikëqyret nga Komisioni i Posaçëm Parlamentar do të realizohet në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet përkatëse në fuqi dhe në asnjë mënyrë nuk do të cënojë kuadrin ekzistues kushtetues e ligjor për ngritjen e institucioneve të pavarura të drejtësisë.