Revista Newsbomb.al vjen me numrin e tridhjetetre, nga sot në të gjitha pikat e shitjes! Po ashtu, mund të abonoheni dhe online, për të gjithë revistën, ose vetëm materialet ekskluzive që ju interesojnë.
Më poshtë, po pasqyrojmë materialet që do të gjeni në këtë numër të ri:
Mundësia e Agron Shehajt! Ai mund të ishte tani duke drekuar apo darkuar mes njerëzve më me influencë në botë, mes biznesmenëve të suksesshëm, atyre që kanë bërë emër, histori në botën e biznesit, medias apo politikës. Në një mbrëmje pushimi në Maldive, buzë detit në një resort luksi me të madhin Andrea Bocelli, sipërmarrësin Matteo Zoppas, i cili drejton biznese shumëkombëshe me vlerë miliona euro, drejtorin e gazetës “La Repubblica”, futbollistin Oliver Giroud (Zhiru), Paolo Fiorellin, president i kompanisë postare botërore. Njëjtë siç ishte atë natë, kur një darkë mes këtij niveli, u bë lajm në revistën Prestigjoze “Forbes”. Por jo, ai ka zgjedhur të bëjë politikë në Shqipëri dhe për më tepër, t’u thotë shqiptarëve të vërtetën, në një kohë kur ne, na janë mësuar edhe veshët tashmë me gënjeshtrat që kemi dëgjuar nga politikanët këto 30 vite.
Ndarja e madhe dhe ditët në hotel të Ilirit pa Monën e tij! Banorëve të Liqenit të Thatë në Tiranë u ka rënë në sy prezenca e ish-Presidentit Ilir Meta në lagjen e tyre. I veshur shpesh me ngjyrat e gjelbërta të Selltikut, Meta shëtit rrugicat e lagjes drejt liqenit teksa bën stërvitje dhe ecjen e gjatë të mëngjesit. Prej disa javësh, ai është zhvendosur në hotelin e ri luksoz në zonë, “Radisson”, në pronësi të biznesmenit të njohur Julian Morina apo siç e njohin të gjithë, Lul Morina. Për herë të parë, Ilir Meta është larguar nga shtëpia dhe jeton i vetëm në hotel, pa Monën e tij, gruan me të cilën arriti majat në të mirë e në të keq.
Saranda, parajsa mbi supet e Shqipërisë! Saranda është një ndër destinacionet më të bukura të Rivierës Shqiptare, e cila vitet e fundit po kryeson statistikat me një numër gjithnjë e në rritje të fluksit të vizitorëve dhe turistëve vendas dhe të huaj. Në Sarandë çdo gjë është mrekullore. Porta e parë prej nga ka hyrë turizmi modern në Shqipëri. Nga Kalaja e Lëkursit, ajo ngjan si një amfiteatër gjigand buzë Jonit. Qëndron hijerëndë aty larg, fare në Jug. Larg dhe afër. Afër dhe larg. Aq larg duket, sidomos sa herë nuk gjen akomodim për të pushuar dy javë aty. Aq afër sa mund të kapësh me dorë valët e Jonit, velat e jahteve dhe lulet me ngjyra lejlaje të bugonvilave unike që kacavjeren fasadave të saj.
Olti Çaçi, kryebashkiaku që po ndryshon Sarandën! Oltion Çaçi, i zgjedhur në krye të bashkisë së Sarandës e sheh qytetin me sytë e biznesit dhe qytetarit. Çfarë duhet bërë më shumë për të tërhequr turistët? Si mund të përmirësojmë infrastrukturën e të jemi më pranë pushuesve me shqetësimet që kanë? Si mund të zgjerojmë hartën e aktiviteteve për ta bërë qytetin të dëshirueshëm për të gjitha stinët e vitit? Sepse Saranda është e bekuar nga Zoti, por dora e njeriut dhe ndërhyrjet pozitive vetëm mund ta pasurojnë më shumë larminë, shumëllojshmërinë e estetikën e këtij qyteti. Saranda që tani është përfshirë nga një rishikim rrënjësor dhe Olti Çaçi ka një imagjinatë shumë të gjallë duke ditur të kompozojë në qytetin që drejton nga gjërat e njohura, tek ato të panjohurat e befasueset.
"Rilindja", një histori suksesi nga Kavaja! Është herët të flasin për të ardhmen, rrugën që do të ndjekin pas kësaj ngjarje, por çmimi i parë i ka motivuar dhe u ka dhënë guxim për t’u përballur me çdo sfidë. Ata janë super grupi që fituan Konkursin Kombëtar të Gjuhës Shqipe, duke bërë që emrin e qytetit të tyre të vogël ta dëgjonte gjithë Shqipëria. Klevis Musa, Kejsi Shehi, Ajra Bexhdili, Najla Vrapi dhe Kejsi Teliti janë nxënësit e shkollës 9 vjeçare “Rilindja” në Kavajë, të cilët garuan mes 11 mijë shokëve dhe shoqeve nga 900 shkolla të vendit, për të triumfuar si më të mirët e Republikës. Me siguri gjatë këtyre ditëve i keni dëgjuar shpesh emrat e këtyre 5 nxënësve, edhe i keni parë në çdo postim krenarie në rrjetet sociale, ndaj ne në Revistën Newsbomb.al kemi vendosur që t’u dedikojmë atyre një hapësirë të veçantë për këtë histori suksesi.
“Peshkaqenët” e kredive! I shte viti 2015 kur autoritetet publike vendosën të zgjidhin ngërçin e krijuar prej vitesh në sektorin financiar. Niveli i kredive me probleme kishte kaluar 25% të totalit të portofolit, shifër shumë e lartë ku 1 në 4 lekë të dhëna hua nuk ktheheshin. Bankat vijonin politikat e tyre shtrënguese në dhënien e kredive për konsumatorët dhe bizneset, masë e cila shtrëngon kushtet për rritje ekonomike dhe rëndon xhepat e kredimarrësve me interesa. Situata kërkonte zgjidhje.
Harroni ushqimet e skaduara, AKU në aksion për sezonin veror! Baret, restorantet, pikat e akulloreve, pastiçeritë, supermarketet…gjithë industria që merret me shitjet me shumicë e me pakicë është futur në një kontroll të plotë: jo nga ato kontrolle ku bizneseve u “dridhen gjunjët” nga prezenca e inspektorëve, por, AKU ka zgjedhur një formë të re bashkëpunimi. Sezoni turistik është në prag, ndaj inspektorët e ushqimit, në gjithë vendin kanë dalë në terren. Takime sensibilizuese e ndërgjegjësuese, si të kontrollojnë cilësinë e mallit që shesin, e si ta tregtojnë atë tek konsumatori fundor. Kjo është edhe sfida e rradhës.
Mbrojtje me roje e kallash, prokurorë e gjyqtarë nën kërcënim për jetën! Me dy truproja përkrah, Tonin Stërkaj gjyqtari i Shkodrës nxiton të hyjë në sallë ku palët po e presin për të drejtuar seancën e radhës. Asnjëri nga oficerët nuk lëviz nga salla, derisa gjyqi mbaron. Më tej shoqëruesit që e ruajnë, qëndrojnë jashtë zyrës. Ky rregull vazhdon kështu me vendim të Komisionit të Mbrojtes së Posaçme të KLGJ i mbledhur me urgjencë pak orë mbasi në portën e shtëpisë së Stërkaj në 29 prill, shpërtheu një sasi tritoli. 30 vjet në sistemin e drejtësisë, Gjyqtari është i bindur mbi dyshimet e tij se përse ja shpërthyen explozivin në banesë dhe këtë e shpjegon gjatë një interviste për NEWSBOMB.
Plastika që pasuron tregun, por ndoti Lushnjën! Për pushtetarët e kohës së diktaturës nuk ishte shumë e vështirë për t’u menduar se ku do të donin të ngrinin një uzinë plasmasi. Duhet të ishte në zemër të fushave bujqësore, sepse atyre do t’i hynte në punë dhe e aksesueshme me rrugë me të gjitha zonat. E ku mund të ishte më mirë se në Lushnje një zonë e tillë e përshatshme, aq më tepër që aty, në qytet, nuk ishte projektuar më parë ndonjë ndërmarrje e industrisë së lehtë a të rëndë: Berati kishte tekstilet e kombinatit; Fieri kishte azotikun e naftën; këtej nga ana tjetër Kavaja kishte fabrikën e qelqit, e në Lushnje, nuk kishte asnjë vepër industriale.
Rita Petro, shkrimtarja që e beson Zotin si një poete! Njerëzit e lirë kanë një aftësi të jashtëzakonshme për ta shpjeguar jetën thjeshtë, për ta përçuar thelbin e saj me fjalë që nuk e humbin kuptimin e tyre, fjalë që as nuk tjetërsohen dhe as nuk keqkuptohen. Sigurisht kjo nga ata që duan të dëgjojnë, të kuptojnë dhe që duan të zbulojnë dimensionet e fshehta që jeta, ekzistenca jonë tokësore rezervon. Dëshira për të kuptuar, ndoshta është themeli i çdo lirie, i çdo mendje të hapur. Rita Petro është një nga gratë e guximshme në letra, një guxim i refelektuar nga pasioni për të jetuar jetën e saj, ashtu siç ajo ka dashur.
Kampionati i finalistëve, Tirana nuk "ndez"! Në natyrën e shkëlqyer të futbollit, rrëfimi i emocioneve shpesh shkakton ndjesi të forta dhe rrëfime të paimagjinueshme të ngjarjeve në fushën e lojës. Në këtë rrugë të pavdekshme të përballjeve dhe triumfeve, Tirana, “marka” e kampionatit shqiptar, nuk përjashtohet nga rënia e madhe. Kur ditët ishin të përafërta dhe lojtarët i kishin sytë nga podiumi i “Final Four”, shpresat ishin lart për tifozët e skuadrës së tyre të zemrës. Por, nëse ka diçka që futbolli na mëson, është se është një lojë e paparashikueshme. Dhe kësaj here, fati i Tiranës nuk ishte i begatë.
Vishe siluetën tënde me art! Maji ka hyrë dhe dalëngadalë po fillojmë të ndjejmë ard - hjen e verës. Me pranverën ka lulëzuar gjithçka, lulet, bari, jeta, femrat… Tani le të fillojmë të leh - tojmë pak veshjet dhe të nxjerrim në pah bukurinë femërore me fustanet, këmishat, pantallonat e lehta, funde, etj... Pranvera ndihet kudo dhe sigurisht na duhet një rifreskim i garderobës. Fillojmë me tentacionet e para, vitrinat kudo na “thërrasin” me shumël - lojshmëritë e koleksioneve të reja. Por sot dua t’ju flas për një firmë shqiptare, e ideuar dhe e punuar në SHQIPËRI, “HAND MADE BY LOVE”. E stiluar me mjeshtëri nga artistja JONI BRA - HO.