Revista Newsbomb.al vjen me numrin e tridhjetedy, nga sot në të gjitha pikat e shitjes! Po ashtu, mund të abonoheni dhe online, për të gjithë revistën, ose vetëm materialet ekskluzive që ju interesojnë.
Më poshtë, po pasqyrojmë materialet që do të gjeni në këtë numër të ri:
Pasuria e humbur e Elias! Princeshë Elia nuk do ta kishte imagjinuar kurrë se sherri me ishbashkëshortin, banal në vetvete, do t’i kushtonte kaq shumë në imazhin e saj dhe në financa. Ajo dhe Leka në janarin e këtij viti ishin paraqitur pranë noteres për të zgjidhur martesën mes tyre; madje kishin vendosur që gjithçka të ishte konfidenciale: që nga mënyra sesi do të rrisnin vajzën e tyre Geraldinë, e deri tek përfitimet financiare që do të kishte Elia dhe e bija.
3 palë sy që komentojnë Veliajn! Arian Çani, Erl Murati dhe Ben Andoni kanë të njëjtin qëndrim kur shprehen për kostot publike që ka marrë maxhoranca pas goditjeve të fundit të SPAK në bashkinë e Tiranës, por ndahen në qëndrimet e tyre sesa efekt do të ketë një veprim i tillë për zgjedhjet e arshshme 2025 në votat e elektoratit. Ajo që dihet tanimë, është shkundja e madhe e maxhorancës pas aksioneve të prokurorisë, pavarësisht se përballë gjendet një opozitë që “i ka humbur” sigla e vula dyerve të gjykatave.
Blendi Fevziu: Sekreti për të mos “u varrosur” me politikën! E hëna jo gjithmonë është e mërzitshme. Prej disa ditësh kisha planifikuar një intervistë me gazetarin më të zëshëm të ekraneve tona, Blendi Fevziun. Më duhet ta pranoj se ne, gazetarët e rinj të brezit tim, jemi rritur që fëmijë me imazhin e tij në ekran, e shpeshherë e kemi imagjinuar veten me atë shkopin në dorë duke drejtuar, pyetjet dhe ...shkopin tek të ftuarit. Ndaj e besoja se nuk do ta kisha të lehtë.
Sa na kushton korrupsioni! Mund të jemi mësuar me korrupsionin, abuzimin, përuljen, lutjen për të marrë atë që na takon. Shumë mbase nuk e dinë se kur paguajnë faturën e dritave, ujit, marrin rrogën apo blejnë një shtëpi dhe ushqimet për familjen, aty lenë një pjesë të kohës së tyre, lenë jetën dhe mirëqënien, shëndetin dhe të drejtat. Dhe te këto pagesa, një shumë shkon në xhepat e zyrtarit, familjarit të tij ose biznesit që merr treg me ligj. Të tjerë mbase presin radhën që të jenë ata që do të kenë në dorë ‘timonin’ e një institucioni dhe do të pasurohen. Kush ka dalë sot kundër kësaj filozofie?! Me votë jo, me fjalë mbase të gjithë, e madje më shumë ata që kanë drejtuar për 3 dekada një nga sistemet më të korruptuar të Europës.
Shebenik! Në parkun e çuditshëm me “shi yjesh” e rrëqebull! Parku kombëtar për të cilin, pak është folur, më pak është njohur, por që ka filluar në hapat e para të lulëzojë. Vetëm në tre muajt e parë të këtij viti, 10 mijë vetë e kanë vizituar. Shumë të tjerë po bëhen gati të shkojnë. Komuniteti lokal, bujtinat, po bëjnë punën e promovimin e tyre. Por më shumë, bashkia Librazhd, që nuk ndalon në asnjë moment të tregojë nëpërmjet guidave, punonjësve, e kujdestarëve se cilat janë gjërat e bukura dhe të veçanta që mund të shihen në një zonë ku ka edhe liqene akullnajore, edhe Ahe 300 vjeçarë, edhe specie në zhdukje si Rrëqebulli, por edhe shiun e yjeve Persuid. Mariglen Disha, kryetari i Bashkisë ka përveshur mëngët për të sjellë një frymë të re, mentalitet të ri për zonën, e pse jo, edhe projektet e reja. Ndaj, ejani ta zbulojmë nëpërmjet këtij reportazhi…
Butrinti sipas Gonxhes! Ministri thyen heshtjen: Kushtetuesja, e para! Me shkrirjen e ministrisë dhe bashkimin e saj me Ekonominë dhe Inovacionin, në krye të institucionit të ri mbërriti Blendi Gonxhe. Ashtu sikurse pika më e debatuar e ish-ministres ishte qasja për menaxhimin e Butrintit, edhe në pyetjet e para që do të doja t’i drejtoja ministrit të ri lundronte e qetë pikëpyetja mbi letrën e UNESCO-s që u mbajt për muaj e fshehtë dhe për mendimin e tij mbi Butrintin. Edhe në këtë intervistë me ministrin Blendi Gonxhe ishte e para pyetje që doja t’i drejtoja.
Burgu në Shqipëri, një ambient i favorshëm për ekstremizmin e dhunshëm! Disa kilogramë më i dobët që kur kishte hyrë në burg, sigurisht më i vjetër, krejt i qetë në fytyrë, Verdi Morava pavarësisht se ka kryer 8 vite burg nën akuzën e terrorizmit, mohon pothuajse çdo fjalë të prokurorisë që kishte thënë në 2014 për të përpara trupës gjykuese. Sapo doli nga burgu pas 8 vitesh, ai nuk mbante telefon celular me vete, por me të mund të lidheshe vetëm përmes një të afërmi të tij. Në një park të vogël të Tiranës i veshur me pantallona dhe këmishë, ai tregon kohën në gjashtë burgje të ndryshme të Shqipërisë.
Shqipëria e varfër, si u projektua Revolucioni i Qershorit! Shqipëria e brishtë jetonte si buzë humnerës, një humnerë që e thërriste në mënyrë të herëpashershme me veprimet që ndodhnin brenda vendit. E në gjithë këtë situatë kaotike të viteve 1923 -1924, ndodhi ajo që pritej, Revolucioni i Qershorit. Si e kanë përjetuar gazetat e kohës që botoheshin në vend, këtë situatë kaotike? Çfarë u shkruajt ato kohë për plagosjen në kuvend të Ahmet Zogut nga ish-nxënësi i tij, apo edhe për plagosjen dhe mandej vdekjen e Avni Rustemit?
Zhaku, zhgënjimi nga Shqipëria! E vërteta ngjall përherë polemika, të dhuron edhe shumë armiq zakonisht dhe për Zhakun, Inida Gjatën, kjo ka qenë diçka që e ka shoqëruar përherë si artiste dhe njeri publik në Shqipëri. Madje edhe tani që ka zgjedhur të jetojë në Gjermani, çdo koment i saj në rrjetet sociale arrin të ngjallë diskutime dhe debate. Për të janë shpesh të pajustifikuara, të nxitura nga mungesa e një reflektimi që në tërësi na cilëson ne si shoqëri.
Europian! E ardhmja është vajzë... Në një botë ku fitorja është e shkruar nën qiellin blu dhe ëndrrat përplasen me realitetin, një skuadër futbolli ka nisur një udhëtim të jashtëzakonshëm drejt shkëlqimit në arenën ndërkombëtare. Nuk është një grupim djemsh, jo! Përkundrazi, disa vajza kanë zgjedhur të dalin jashtë ëndrrave të “doktoreshës” apo “balerinës” dhe janë vendosur aty mes fushës për të prodhuar spektaklin e emocionin që të ofron ky sport. Kjo është historia e një Kombëtareje që ngrihet si zjarri në mbrëmjen e një nate të errët.
Vishu shkurt se po zgjat dita! Kalendari nuk është dukur asnjëherë më shpresëdhënës se kaq. Ai shënon fillimin e sfilatave të pranverës të cilat shoqërohen me sete fotografike, me tema të cilat mbartin një mesazh në vetvete. Ndaj bota e modës është kaq dinamike, pasi çdo vit ka “emocione” të reja sa i takon tendencave dhe prurjeve për sezonin pranverë – verë 2024.