
Revista Newsbomb.al vjen me numrin e dyzetë e një nga sot në të gjitha pikat e shitjes! Po ashtu, mund të abonoheni dhe online, për të gjithë revistën, ose vetëm materialet ekskluzive që ju interesojnë.
Më poshtë, janë disa nga materialet që do të gjeni në këtë numër të ri:
Newsbomb 10-vjeç: Na ishte një ditë e jo e zakonshme në Tiranë. Kryeqyteti gëlonte nga zallamahitë e vitit 1997. Shqiptarët kishin humbur milionat e kursyera me mund. Disa i kishin vënë mënjanjë gjatë rrugëve të ndyra me presione, disa të tjerë ëndërronin të blinin një shtëpi në kryeqytet, dikush i kishte bërë ato para me mund e frikë se mos spiunohej nga miku në diktaturë, e dikush tjetër nga i kishte bërë me presionet që i bënte fqinjit në komunizëm. Prindërit kishin dorëzuar paratë e para që fëmijët emigrantë i kishin sjellë me familjarë të tjerë. Le tra me vlerë e pa vlerë kishin shëtitur gomoneve njëlloj si njerëzit, që diku kishin humbur, zhdukur a ishte një ditë e jo e zakonshme në Tiranë.
Zgjedhjet, demokratët e bashkuar, opozita e ndarë: Pas një lufte civile gati 3 vjeçare, bashkimi i demokratëve është tanimë fakt, dhe ata po shkojnë drejt zgjedhjeve të 11 majit, nën lidershipin, simbolet, logon dhe vulën që e kanë prej themelimit, prej 34 vitesh. Ndasia që nisi në shtator të vitit 2021 kur Lulzim Basha përjashtoi Sali Berishën nga Grupi Parlamentar pas shpalljes së tij non-grata, pati jo pak trauma. Në fund, dhe me vendimin e pak muajve më parë ku vula i kaloi Sali Berishës dhe me gjykatë ai ligjërisht u njoh si kryetar, mund të thuhet se demokratët u unifikuan. Po nuk ndodh e njëjta gjë me Opozitën në përgjithësi. Ajo është me disa copëza dhe e fragmentuar. Përpos ndonjë aleati tradicional që gjithnjë i ikën selisë blu para zgjedhjeve, tanimë janë dhe 4 bijëza që kanë dalë direkt nga trungu i saj.
Parashqevi Simaku, nga "ylli i skenës" te paranoja skizofrenike: Në rrjedhën e zhurmshme të dhjetorit, kur të gjithë përpiqeshim të gjenim ngrohtësinë mes dritave festive të fundvitit, një figurë e harruar prej kohësh u shfaq ashtu krejt papritur. Ajo ishte e madhja Parashqevi Simaku, dikur simbol i dashurisë dhe shpresës, tani një grua që mbante mbi supe peshën e viteve të humbura dhe dhimbjen e një nëne që priste të birin. Ishte 15 dhjetor 2024 kur Elvira Tata, një grua që jeton në Nju Jork, para se të shkonte në punë, në një stacion metroje gjeti Parashqevi Simakun. Rrjetet sociale gëlonin nga një video e shkurtër botuar nga gazetari Blendi Fevziu për një zonjë në metro në Penn Station që merrte ndihma, me pyetjen: A mund të më thoni se kush është kjo?
Erion Veliaj në derën e SPAK: Duket se viti 2024 nuk u mbyll me një bilanc të mirë sa i takon karrierës politike të kryetarit të Bashkisë Tiranë Erion Veliaj. Në pranverë një skandal përfshiu institucionin e bashkisë me hetimet e Prokurorisë së Posaçme për dosjen 5D Konstruksion, ndërsa protestat e opozitës dhe partive të tjera politike nuk munguan. Duket se taktika që ka zgjedhur SPAK për të hetuar kryebashkiakun është bazuar në pasurinë dhe abuzimet e familjarëve të tij, ndërsa mbi vetë detyrën e Veliaj, prokurorët kanë në duar dosje dhe më të nxehta si inceneratori i Tiranës, 5D Konstruksion, prishja e pallateve nga rindërtimi, përgjimet e grupit mafioz italian Ndragehtta për pastrimin e parave në ndërtim dhe Teatrin Kombëtar. Hetimet mbi rolin e tij janë regjistruar në 4 akuza të rënda, korrupsion pasiv dhe aktiv, pastrim të parave dhe deklarim të rremë.
Kur të prish punë Ismail Qemali: Nga Korça ku mori mësimet e para, Janina u bë ndalesa e tij e parë. Greqia do të ishte ndalesa e fundit e Jani Vretos, pasi aty u shua. Idetë më të rëndësishme të iniciativave të tij lindën aty, në shtetin fqinj. Pak pas përfundimit të studimeve, u shpërngul në Stamboll. Pastaj, brenda një dhjetëvjeçari vendosi të jetonte sa në Korçë e sa në Stamboll, në përpjekje për të gjetur vendin ku kontributi i tij do të vlerësohej më shumë. Përtej lëvizjeve Korçë e Stamboll gjatë këtyre viteve, studimet e kishin “ngecur” mendjen e tij mes shqipes e greqishtes, ndaj edhe gjatë kësaj dekade punoi për të botuar në vitin 1866 “Gramatikë e greqishtes së folur në shqip”. Mes dëshirën për të ruajtur identitetin e tij, gjuhën, shkronjat dhe librin shqip, në mendjen e formësuar në shkollat greke, duket se shkoi gjithë jeta e tij.
Dash Shehi, pishmanet që i krijoi politika: Është e vështirë që në mjedisin politik të Shqipërisë të gjesh personazhe të shkëputura nga mëkatet e saj, për të cilat të ketë një unanimitet të opinionit publik. Janë ata njerëz të cilëve “nuk ke se çfarë t’u gjesh në biografinë politike”. Dashamir Shehi, është njëri prej tyre. Në këtë bisedë për NewsBomb na tregon se çfarë e ka mbajtur larg tundimit, të cilin ai e quan se është permanent në këtë mjedis, njëlloj si oferta për t’u korruptuar. Përtej jetës publike, ajo çfarë ai e quan veten fatlum është familja dhe fëmijët, ku meritat kryesore nuk heziton t’ia faturojë bashkëshortes së tij, sidomos “për faktin që e ka duruar atë në 30 vite martesë”. Politika është pasioni i tij më i madh, e cila duket se ka ngjyrosur çdo gjë përreth tij. Një pasion, të cilit nuk ia mohon kostot, por që do ta bënte po njëlloj.
Gazetat mes mbijetesës e shqiptarizmës: Librat dhe gazetat janë arma më e fuqishme që mund t’i japim kombit tonë për të luftuar errësirën dhe për të ngritur lart shpirtin e lirë”. Kur Jeronim de Rada, rilindasi i madh arbëresh shqiptar e shkruante këtë aksiomë për median, ishte mesi i shekullit të 19-të. De Radën e njohim si poetin më të madh arbëresh, por pakkush në ditët e sotme, përveç studiuesve, kanë njohur lidhjet e tij me shtypin dhe informacionin. Në këtë 10 vjetor të festimeve të themelimit të kompanisë mediatike Neësbomb.al, në shekullin e 21-të, jemi plot 177 vite më pas daljes së gazetës së parë me shkronja shqip e informacion nga Shqipëria.
Shqipëria në europë prej futbollit: Viti 2025 sjell me vete dy ngjarje të jashtëzakonshme për Shqipërinë: Kampionatin Europian për 17-vjeçarët dhe mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, që do të vendosin vendin tonë në qendër të futbollit europian. Me Armand Dukën në krye, Shqipëria po shfaq përkushtim dhe angazhim të jashtëzakonshëm për zhvillimin e futbollit, ndërkohë që stadiumet e rinovuara dhe infrastruktura moderne janë gati të presin ngjarjet e rëndësishme. Megjithatë, ky moment vjen me shumë pyetje dhe reagime nga publiku: Si do të ndikojnë këto ngjarje futbollin shqiptar dhe çfarë do të thotë ky vit për të ardhmen e sportit në Shqipëri?
Viti i Ri pa zakone të vjetra: Çdo fillim sezoni dhe Viti të Ri kuptojmë se duhet të jesh e pasur për të bërë blerje të lira dhe e kundërta… Pasi investimet e mira nuk na kanë lënë asnjëherë “në baltë”, përkundrazi gjithmonë na kanë nxjerr nga situata. Thënë shkurt dhe shqip për ata që thuajëse çdo muaj i shtojnë një veshje të re garderobës pa e menduar dy herë me iden se ka një çmim të mirë, niseni Vitin e Ri pa zakone të vjetra dhe orjentohuni vetëm drejt blerjeve të zgjuara. Marim shkas nga rotacioni që pëson moda, e cila ka rikthyer përsëri leopardin, ose e zeza dhe ngjyrat e tokës të cilat kanë qenë të identifikueshme lehtësisht në pasarelat më në zë në këtë industri.
Artikujt e plotë mund t'i lexoni në numrin e 41-të të Revistës Newsbomb.al, i cili ka dalë në treg nga sot, datë 22 Janar dhe mund ta gjeni në të gjitha pikat e shitjes, në të gjithë Shqipërinë. Ju mund të abonoheni dhe online, për të lexuar të gjithë revistën, ose artikujt që ju doni!