
Moti i keq ka pushtuar vendin këtë të shtunë duke shkaktuar probleme në rrugë të ndryshme të qyteteve. Burime për mediat bëjnë me dije se situata problematike paraqitet në qytetin e Durrësit, ku si pasojë e reshjeve të dendura të shiut janë hasur probleme në qarkullimin rrugor.
Më shqetësuese situata raportohet në kryqëzimin pranë stadiumit “Niko Dovana”, atij pranë shkollës “Qemal Mici”, tregut, si dhe disa segmente rrugore në lagje të ndryshme të qytetit.
Probleme janë evidentuar edhe në zonën e ish-Kënetës, Shkozetit dhe atë të Plazhit, ku uji ka pushtuar rrugët duke vështirësuar kalimin për këmbësorët dhe automjetet.
Ndërkohë, pritet që reshjet e shiut të vijojnë dhe përgjatë ditës së nesërme.