Bursat ndërkombëtare të karburanteve kanë reflektuar ditët e fundit një rënie të ndjeshme të çmimit. Siç shihet, nafta e papërpunuar “Brent” ka rënë në 77 dollarë për fuçi, ndërkohë që në vendin tonë prej ditësh një litër naftë shitet 185 lekë.
Nafta “Brent” e njohur dhe si “Brent Blend”, “London Brent” dhe “Brent Petroleum” është standardi kryesor i çmimeve globale për naftën bruto. Ajo përdoret për të vendosur çmimin e dy të tretave të furnizimeve të naftës së papërpunuar të tregtuar ndërkombëtarisht në botë.
Por teksa çmimi në bursën evropiane ka rënë përsëri duke shënuar 77.10 dollarë, mbetet për t’u parë nëse ulja e çmimit për fuçi do të ndikojë në tregjet shqiptare, në të cilat rritja reflektohet menjëherë.

Pothuajse të gjitha karburantet kanë fiksuar një çmim prej 185 lekë për litër, në kushtet kur Bordi i Transparencës është shkrirë dhe asnjë nga institucionet shtetërore nuk kontrollon çmimet.
“Brent Crude” (ICE) është një nga dy çmimet kryesore standarde për blerjet e naftës në mbarë botën. Tjetri është West Texas Intermediate (WTI), që zakonisht i referohet çmimit të kontratës së naftës bruto WTI në Bursën Tregtare të Nju Jorkut.