Policia e Shtetit ka reaguar pas aludimeve se sistemi TIMS në Rinas ishte jashtë kontrollit.
Me anë të një njoftimi zyrtar bën me dije se ky sistem funksionon normalisht në të gjitha pikat e kalimit kufitar dhe në asnjë pikë kalimi nuk është evidentuar asnjë problematikë, përveç fluksit të shtuar të turistëve dhe vizitorëve që hyjnë në vendin tonë.
"Lajmi i publikuar në rrjetet sociale, se në Rinas ka rënë sistemi TIMS dhe është krijuar kaos, është i pavërtetë. Sistemi TIMS funksionon normalisht në të gjitha pikat e kalimit kufitar dhe në asnjë pikë kalimi nuk është evidentuar asnjë problematikë, përveç fluksit të shtuar të turistëve dhe vizitorëve që hyjnë në vendin tonë.
Policia e Shtetit është e angazhuar maksimalisht për t’iu ofruar shërbim sa më cilësor të gjithë qytetarëve në hyrje dhe dalje, në pikat e kalimit kufitar, si dhe ka rritur vigjilencën për kapjen e shtetasve në kërkim, parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare. Lajme të tilla të pavërteta të cilat krijojnë pakënaqësi dhe cenojnë imazhin e punës së Policisë, duhet të konfirmohen nga autoritetet policore," thekson Policia e Shtetit.