Dhjetëra kontrolle janë kryer në Shkodër dhe në fshatrat përreth nga RENEA si pjesë e një megaoperacioni të zhvilluar me urdhër të SPAK gjatë ditës së sotme.
Kontrolle janë kryer dhe në banesën e Bajrave, amiq të përbetuar të familjes Lici, ku janë sekuestruar 5 automjete të blinduara. Burime për media kanë bërë me dije se gjatë kontrolleve , forcat RENEA kanë sekuestruar gjithashtu dhe shuma të mëdha parash, konkretisht 19 mijë euro, të cilat janë gjetur në arkën e kursimeve të vajzës 1 vjeçare të Safet Bajrit.
Forcat RENEA kanë sekuestruar dhe telefonat celularë të Safet Bajrit dhe bashkëshortes së tij. Kontrollet në banesën e Bajrave janë kryer me urdhër të gjykatës rreth orës 02.00 të mëngjesit.
Në lidhje me këtë operacion janë lëshuar 5 udhërarreste ndërsa Bajri mbetet akoma i lirë.
Ky operacion është ndërmarrë si pjesë e hetimit për masakrën e Dobraçit, ngjarje e ndodhur në 30 dhjetor ku mbetën të vrarë çifti i pafajshëm Flutura dhe Bashkim Basha. Gjithashtu viktima mbetën dhe Arlind Bushati si dhe vëllai i Ibrahim Licit, Hamza Lici. I palgosur në këtë atentat me dy plumba në trup ka mbetur dhe Ibrahim Lici, i cili pretendohet se ka qenë duke udhëtuar me dy viktimat në momentin që janë qëlluar me breshëri plumbash në Dobraç nga një tjetër makinë.
Ndërkohë është bërë me dije se përveç hetimit që po kryhet ne lidhje me atentatin në Dobraç, ky operacion është zhvilluar dhe në shërbim të një hetimi të ri të hapur së fundmi nga Prokuroria e Posaçme.
Lidhur me këtë operacion të forcave speciale, nuk ka ende një njoftim zyrtar nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar apo nga Policia e Shkodrës. Priten më tepër detaje në vijim.