
Seanca gjyqësore, ku do të shqyrtohet refuzimi i të dënuarit Klement Çala për futjen në regjimin "41 biss" është shtyrë për në datën 27 janar në orën 12:00. Seanca u shty për t'i lënë kohë prokurorisë që të sjellë provat.
Mësohet se Çala ka kërkuar fakte nga SPAK se ku është bazuar për mbylljen e tij në regjimin e ashpër. Avokatja e tij Aviola Shehu ka deklaruar se nuk ekziston asnjë arsye për ta mbyllur në "41 biss". Ajo është shprehur se shkresat e mëparshme të burgjeve e përshkruajnë me "sjellje pozitive" dhe që nuk mban sende të ndaluara.
Klement Çala ka qenë edhe më herët në regjimin e ashpër ku u mbajt për pesë muaj. Rikthimi i tij brenda regjimit të ashpër ndodhi në 17 dhjetor 2024 dhe pas këtij vendimi, i dënuari me 20 vjet burg paraqiti kërkesë në gjykatën e posaçme për shfuqizimin e vendimit.