Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

Reagim Publik ndaj Diskursit për Punonjësit e Organizatave të Shoqërisë Civile

Shkruar nga Newsbomb
Reagim Publik ndaj Diskursit për Punonjësit e Organizatave të
Foto ilustruese

Nga Mirela Arqimandriti

Si kukulla robotike 'frymëzuar', por pa lidhje fare me çka po ndodh në SHBA, po shohim në Shqipëri emisione groteske me retorikë të ulët që përpiqet të minojë dhe nëpërkëmbë punën individuale apo në partneritet të Organizatave të Shoqërisë Civile (OSHC).

Këta individë ngrejnë akuza të pabaza ndaj atyre që punojnë çdo ditë për të mbrojtur të drejtat e njeriut, për të ndihmuar njerëzit në nevojë, të margjinalizuarit dhe për të ndërtuar komunitete më të mira, duke u përballur me probleme të ndërlikuara si dhuna në familje, diskriminimi, pabarazitë sociale dhe mungesa e qasjes në shërbime bazë.

Puna jonë nuk përfshin vetëm hartimin e raporteve apo organizimin e takimeve; përfshin të qenit në terren, përballjen me histori tragjike, ndihmën për viktimat që kanë humbur çdo shpresë dhe përpjekjet për t'i dhënë zë atyre që nuk dëgjohen nga sistemi.

Një nga sulmet më të zakonshme ka të bëjë me pagat e punonjësve të OSHC-ve, sikur puna jonë të jetë luks apo abuzim, pa marrë parasysh lodhjen e përditshme, sakrificat personale dhe angazhimin për të sjellë përmirësim në shoqëri.

A janë këta gjithollogë të vetëdijshëm për:

• Orët e gjata që shpenzojmë në terren, shpesh në kushte të vështira, larg familjes dhe komoditetit, duke dëgjuar dhe dokumentuar histori të rënda që kërkojnë mbështetje dhe zgjidhje të menjëhershme?

• Përballjen me zërat e viktimave të dhunës, që nuk është vetëm një dëgjim formal, por një përfshirje emocionale, ku secila histori mbetet me ne, duke na lodhur jo vetëm fizikisht, por edhe shpirtërisht?

• Presionet financiare kur projektet përfundojnë dhe fondet shterojnë, ndërsa ne përpiqemi të gjejmë burime të reja financimi për të mos ndërprerë shërbimet kritike për komunitetet në nevojë?

• Përgjegjësinë ndaj komunitetit që na beson, ku çdo dështim i mundshëm nuk është thjesht një statistikë në raport, por një ndikim real në jetën e individëve që varen nga ndihma jonë?

Nuk e kuptoj se si mund të funksionojë një emision apo një postim me gjuhë denigruese. Në vend që të sillni diskutime konstruktive, po krijoni përçarje dhe po nxisni përbuzje ndaj një pune që kërkon përkushtim dhe sakrifica të vazhdueshme.

Mjaft më me narrativën sulmuese që na vë në pozitë turpëruese publikisht.

• Unë nuk kam turp as nga puna ime dhe as nga paga ime.

• Ju përpiqeni t’i mashtroni njerëzit duke nxjerrë një dokument të vitit 2021 për të krijuar një perceptim të gabuar.

• Ti nuk e di sa e kam pagën aktuale dhe nuk ka pse ta dish. Për më tepër, ju i publikoni pagat bruto, duke anashkaluar faktin që ajo që merret neto është shumë më pak pas taksave dhe kontributeve të tjera.

Unë me organizaten time bëj aktivitetet e mia në terren: ndërgjegjësim, shërbim social, fuqizim, informim të grave dhe të rinjve për dhunën, bullizmin dhe sfidat e tjera sociale. Ne zhvillojmë trajnime mbi të drejtat e grave dhe barazinë gjinore, takime komunitare për të parandaluar dhunën në familje dhe për të përmirësuar mirëqenien e të rinjve etj etj. Përveç kësaj, ndihmojmë individë të cënueshëm të kenë qasje në shërbime ligjore dhe psikologjike.

Falë aktiviteteve dhe projekteve tona, përfitojnë edhe shumë biznese të vogla e të mesme, të cilat kontraktohen për trajnime, shërbime logjistike, hotele, materiale informuese dhe shumë aktivitete të tjera. Ne jo vetëm që ndihmojmë komunitetet, por i japim shtysë ekonomisë lokale, një realitet që shpesh anashkalohet me qëllim nga sulmet mediatike.

Po ti, çfarë bën me emisionin tënd gjoja informues?

Ti po bën dezinformim. Ti po nxit urrejtje, duke manipuluar faktet dhe duke keqpërdorur hapësirën publike për të përçarë, në vend që të informosh.

Në fakt, ai që duhet të ndihet i denigruar je ti, sepse po kontribuon në zhytjen e shoqërisë në batak me dezinformatat dhe përçarjet që përhap. Ti nuk po informon, ti po manipulon dhe po shkatërron vlerat e shoqërisë civile.

Zotërinj, ju nuk keni kapacitete të matni kapacitetin dhe punën tone. Mos flisni për atë që nuk kuptoni apo nuk e keni përjetuar.

Për gazetarët dhe opinionistët: Para se të nxisni retorika denigruese, shikoni të dhënat, dëgjoni historitë e suksesit dhe bëhuni aleatë për zhvillimin e shoqërisë, jo pengesë e saj.

Shoqëria jonë ka nevojë për ndihmë dhe mbështetje, jo për gjykime të padrejta.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese