
Prania e rasteve të fëmijëve të prekur me meningit, ka përhapur panik në shqoqëri sidomos tek prindërit, të cilët për tu përkujdesur për shëndetin e fëmijëve të tyre, kanë refuzuar t’i dërgojnë fëmiët e tyre në shkollë.
Deri më tani 2 raste janë bërë publike në qytetin e Durrësit, ndërsa në dhjetor të vitit të kaluar një 17-vjeçar humbi jetën në QSUT. Në lidhje me këtë situatë ka folur për TCH shefja e shërbimit të pediatrisë infektive, Profesoreshë Xhorxhina Kuli, e cila ka shpjeguar sesi mund ta evidentojmë sëmundjen.
Kli shpjegon se disa raste të rralla me meningit kanë qenë gjithmonë të pranishme, sidomos tëk fëmijët të cilët sapo kanë kaluar një virozë të stinës.
“Do të thosha që ne meningit kemi pasur dhe do të kemi, më i shpejti, ai që nuk të lë kohë të marrësh vendime, është meningiti meningokoksik. Zakonisht shfaqet pas virozëve. Meningokoku ndodhet kudo në natyrë, ne nuk e shmangim dot dhe ai është në të gjitha vendet. Problemi është që kur ke mukoza të paprekura, mund të biesh në kontakt dhe vetë trupi i bën një barrierë që nuk e lejon të kalojë në qarkullimin e gjakut apo në tru. Në momentet që këto mukoza prishen, që kalon një grip, mund të shfaqen shenjat e meningitit”, shpjegon mjekja.
Profesoresha shpjegon se prindërit duhet të jenë tepër vigjilent për të kapur në kohë shenjat tek fëmijët, duke kontrolluar shpesh temperaturën si dhe duke kontrolluar për praninë e pikave të kuqe në trup.
“Nëse e diagnostikojmë herët, shpëtimi është 100%, nëse 12-24 orë, vihet në pikëpyetje ecuria e sëmundjes. Prindërit duhet të jenë vigjilent nëse shohin temperaturë të fëmijës dhe veçanërisht duhet të kenë mendjen nëse shohin pika në lëkurë”, thotë Kuli.