
Kryeministri Edi Rama ditën e sotme ka qenë në Qarkun e Fierit ku ka zhvilluar disa takime me fermerët, mësuesit, vizitoi punimet në kinoteatrin “Vaçe Zela” në Lushnje si dhe një vizitë në Spitalin Memorial në Fier.
Rama njoftoi se nga sot Spitali Memorial do të marrë kartën e autonomisë financiare, duke u bërë model për menaxhimin modern të spitaleve. Objektivi ynë mbetet krijimi i 17 qendrave ekselence deri në vitin 2027.
Ndërsa sot, gjashtë spitale të tjera: Materniteti “Mbretëresha Geraldinë”, Materniteti “Koço Gliozheni”, Spitali Rajonal Korçë, Spitali Rajonal Elbasan, Spitali Rajonal Gjirokastër dhe Spitali Universitar i Traumës – marrin kartën e autonomisë menaxheriale, duke iu bashkuar këtij transformimi.
“Sot ne do kalojmë në fazën tjetër, në autonominë menaxheriale. Dua t’iua dorëzoj bashkëdrejtuesve, se këta i kemi çift. Këta janë çifti i parë dhe më pas do kemi një krushqi të madhe shqiptare-turke. Urime për drejtoreshën se e paskeni vërtet udhëheqëse.
Autonomia menaxheriale tani do testohet në 5 spitale të tjera, ndërsa memoriali do fillojë me autonominë financiare.” – tha kreu i qeverisë ndër të tjera.