Raiffeisen Bank në Shqipëri ka vënë në dijeni autoritetet më të lartë shtetërore për të marrë masa për kompaninë mashtruese "Micro Credit Albania", pasi drejt bankës po shkonin mijëra urdhra të paligjshëm bllokimi për pasuritë e shqiptarëve, për llogari të "MCA".
Prokuroria e Posaçme raportohet se është vetëm një hap larg regjistrimit të procedimit penal për dosjen e kredive, që po zhvat qytetarët shqiptarë dhe po u tjetërson pronat. Tre javë më parë, më 17 Prill 2024, dosja i është përcjell SPAK nga Prokuroria e Tiranës.
Materialet e dërguara në organin e ri të akuzës për "moskompetencë" kanë mbërritur, por ende nuk është hedhur shorti për përzgjedhjen e oficerëve dhe prokurorit që do të ndjekë rastin.
Ka qenë vetë Raiffeisen Bank që ka njoftuar dy vite më parë për këtë shqetësim Ministrinë e Drejtësisë dhe Bankën e Shqipërisë, pasi llogaritë e mijëra klientëve të saj janë bllokuar me urdhër të tre përmbaruesve të lidhur me "Micro Credit Albania".
Tashmë që rasti është adresuar pranë institucioneve të drejtësisë nga vetë zyra e ministrit Manja, pas shqetësimit të ngritur nga Raiffeisen Bank, ka dyshime të forta se "Micro Credit Albania" ka riaktivizuar sërish mekanizmin e tjetërsimit të pronave përmes praktikave të paligjshme.
Referuar shkresës zyrtare, informonte Ministrinë e Drejtësisë dhe Bankën e Shqipërisë se pranë saj po mbërrinin mijëra urdhra bllokimi nga një përmbarues i lidhur me "Micro Credit Albania", për të cilat banka dyshonte se janë të paligjshme, duke kërkuar ndërhyrjen e qeverisë dhe Bankës Qendrore.
Kapitali.al thotë se tashmë që është në prag të mbylljes përfundimtare të aktivitetit dhe revokimit të licencës, "Micro Credit Albania" po nxiton të marrë sa më shumë prona të qytetarëve duke i regjistruar në emrin e saj.
Banka Raiffeisen kishte arsye të fortë se pse po ngrinte alarmin. Vërshimi i mijëra urdhrave sekuestrosh nga këta përmbarues i kishte vënë në pamundësi bankat për t’i ekzekutuar ato.
Veç kësaj, edhe pasi bankat vendosnin sekuestron, përmbaruesit nuk procedonin me ekzekutimin e tyre duke i lënë llogaritë e qytetarëve të bllokuara për vite të tëra. Sepse bllokimi kishte vetëm një qëllim, që t’i detyronte qytetarët të merrnin kredi të tjera të MCA dhe Final duke i futur në spiralen e borxhit.
Dy muaj më parë, më 1 Shkurt 2024 Raiffeisen Bank i është drejtuar sërish me shkresë zyrtare Ministrisë së Drejtësisë dhe Bankës së Shqipërisë për t’a vënë në dijeni se fenomeni po përsëritet, por këtë herë me një emër tjetër përmbaruesi.
“E theksojmë këtë fakt pasi është konstatuar se i njëjti fenomen po përsëritet nga përmbaruesi gjyqësor Altin Vako, i cili gjatë periudhës 15 dhjetor 2023-31 janar 2024 ka dërguar pranë bankës tonë 5400 urdhra bllokimi për llogari të Micro Credit Albania dhe Final”, thuhet në shkresën e fundit të Raiffeisen drejtuar ministrisë së Drejtësisë dhe Bankës së Shqipërisë.
Në këtë shkresë, Raiffeisen Bank i kërkon sërish Ministrisë së Drejtësisë që të verifikojë ligjshmërinë e urdhrave të përmbarimit dhe të informojë bankat se si duhet të veprojnë me to.
Me sa duket pas këtyre shqetësimeve të ngritura në mënyrë të përsëritur nga banka, ministria u detyrua të reagojë. Pak ditë më parë, Ministria e Drejtësisë i kërkoi zyrtarisht Bankës së Shqipërisë që të bllokojë aktivitetin e Final dhe Micro Credit Albania.
© Newsbomb.al