
Guvernatori i Shqipërisë, Gent Sejko gjatë raportimit në Komisionin e Ekonomisë ka ndarë detaje lidhur me mënyrën se si do të procedohet me rastet e mashtrimit nga kompania “Final” sh.p.k. dhe “Micro Credit Albania” sh.p.k..
Sekjo tha se është ngritur një grup pune, është njoftuar Kadastra që të mos kryejë më tjetërsim pronash, si dhe do komunikojë me Ministrinë e Drejtësisë, për të përcaktuar një likuidator për secilën kompani.
Po ashtu ai bën me dije se klientit i është dhënë një adresë e-maili dhe një numër kontakti dhe se është hapur një zyrë në bankën e Shqipërisë, ku çdo klient mund të ankohet ose të bëjë kërkesa për sqarim.
“Kemi ngritur një grup pune, të cilat janë alokuar pranë këtyre dy kompanive. Kemi bllokuar vetëm për mos tërheqje dhe jo për derdhje. I kemi çuar një njoftim Kadastrës që të mos kryejnë tjetërsime pronash, për ta ditur këtë revokim liçense. Po bëjmë definimet ligjore, pasi është hera e parë që bëhet fjalë për një gjë të tillë. Në varësi të ligjit të bankave që kemi për institucionet financiare dhe bankat, po bëjmë definimet ligjore, për të bërë definimet për administrimin e këtyre kompanive.
Do të komunikojmë me Ministrinë e Drejtësisë, në bazë të kërkesave ligjore, për të përcaktuar një likuidator për secilën kompani dhe pastaj do të përpunohet një plan masash në vazhdueshmëri për trajtimin e problematikave me likudatorin, gjithmonë nën mbikqyrjen e bankës së Shqipërisë. Klientit i është dhënë një adresë emaili dhe një numër kontakti, kemi dhe një zyrë në bankën e Shqipërisë, ku çdo klient mund të ankohet ose të bëjë kërkesa për sqarim,” tha Sekjo.
Po ashtu Guvernatori foli hapur për problematikën që ekziston në ato raste që është dhënë vendim gjykate dhe kanë kaluar në përmbarim. Sejko thotë se roli i Bankës Qendrore mbaron, aty ku fillon gjykata.
"Po i verifikojmë të gjithë database që ka kompania nga serverat e tyre, për të parë të gjithë numrin e klientëve. Problematika do të ketë, sidomos për ato raste që janë në përmbarim, pasi përmbaruesi del me lloj lloj teorish, por këto nuk janë në targin tonë ligjor. Ato raste që janë dhënë vendim gjykatash dhe kanë kaluar në përmbarim, kjo krijon problematikë dhe duhet të jemi të qartë për këtë gjë.
Por nga ana ligjore do të shohim se çfarë mund të bëjmë. Pati aty ku fillon gjykata, mbaron roli i Bankës Qendrore, ky është standard ndërkombëtar. Kjo është një punë do të të marrë kohë. Por kërkoj që të ecim shpejt me miratimin e ligjeve, pasi rregulloret ne i bëjmë vetë, si ligji për proceduarat përmbarimore, ligji për tavanin e normës së interest, për penalltinë,” deklaroi Sejko në Komision.
Kujtojmë se më 23 maj Banka e Shqipërisë u ka hequr licencat, duke nxjerrë nga tregu dy subjekte financiare jobanka, përkatësisht licencën e shoqërisë “Final” sh.p.k. dhe të shoqërisë “Micro Credit Albania” sh.p.k. të cilat ishin pezulluar për shkak se mashtronin qytetarët me mikrokreditë.
BSH deklaroi se kjo vendimmarrja bazohet në dispozitat ligjore dhe rregullative në fuqi që rregullojnë veprimtarinë e subjekteve financiare jobanka, të cilat parashikojnë, ndër të tjera, rastet e revokimeve të licencave kur subjektet e licencuara nuk vazhdojnë të plotësojnë më kushtet në bazë të të cilave janë licencuar.
Ky vendim vjen pasi Prokuroria e Tiranës më në fund ka zbërthu skandalin e mikrokredive dukë kërkuar 9 masa sigurie për administratorët e 5 kompanive, si dhe për disa përmbarues në Tiranë.
Masa “arrest në burg” është kërkuar për Aldo Dakën, Albert Gegën, Edomnd Maton, Arben Meskutin, si dhe Alban Kote është shpallur në kërkim. Ndërsa, për Kejda Seferin, Elda Ibron, Alketa Tanushin dhe Jordisa Dervishin është kërkuar masa “arrest në shtëpi”.