
Moti i paqëndrueshëm me reshje shiu dhe dëbore gjatë ditëve të fundit ka shkaktuar vështirësi në rrugën drejt Kishës së Laçit. Mësohet se pavarësisht përmirësimit të motit, qarkullimi në këtë rrugë vazhdon të jetë i vështirë.
Kjo pasi Bashkia e Kurbinit nuk ka marrë masat e nevojshme për pastrimin dhe mirëmbajtjen e rrugës, e cila vijon të ketë prezencë të dëborës.
Ditën e martë ku numri i pelegrinëve është i lartë, është krijuar vështirësi për besimtarët që udhëtojnë drejt Kishës së Shna Nout. Fluksi i besimtarëve dhe automjeteve në rrugë ka bërë që lëvizja të jetë e kufizuar, duke shkaktuar shqetësim te qytetarët.
Neglizhenca e autoriteteve përkatëse për të ndërhyrë dhe për të siguruar akses të lehtë në një vend kaq të rëndësishëm për komunitetin dhe për besimtarët nga e gjithë Shqipëria, ka shqetësuar jo pak qytetarët dhe besimtarët.