Ministria e Financave ka vendosur të plotësojë një nga dëshirat e kahershme të kryeprokurorit Altin Dumani, për të rritur numrin e hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Këta oficerë punojnë me prokurorët për hetimet ndaj personave që bien në rrjetën e SPAK.
Prokurori Alfred Shehu ka qenë i pranishëm në Komisionin për Çështjet Ligjore në Kuvend dhe është shprehur se në projektbuxhetin e Ministrisë së Financave është parashikuar një fond prej 250 milionë lekësh, për hetuesit e rinj.
“Në kërkesa shtesë janë paraqitur kërkesa shtesë për personel kërkuar nga Byroja Kombëtare e hetimit, konkretisht për 40 punonjës të cilët janë miratuar në projekt buxhetin e 2025 në pozicionin e hetuesit në shumën e 250 milionë lekë”, është shprehur Alfred Shehu.
Kryeprokurori Altin Dumani ka kërkuar herë pas herë në Kuvendin e Shqipërisë një rritje të numrit të agjentëve të Byrosë Kombëtare, për shkak të volumit të lartë të dosjeve, hetimeve proaktive dhe metodave speciale të hetimit, të cilat kërkojnë angazhim të lartë të personelit të BKH.
Prokurori i posaçëm Alfred Shehu është ankuar para deputetëve se në projektbuxhet janë reduktuar fondet për SPAK, me të paktën 1 milionë euro më pak.
“Projekt buxheti i vitit 2025 ka parashikuar 600 milionë lekë, 111 milionë lekë më pak nga nevojat e SPAK, në parashikimet buxhetore për këtë vit edhe pse është reflektuar shqetësimi ynë lidhur me fondet buxhetore për sa i përket shpenzimeve kapitale, investimeve konstatojmë se nuk janë marrë në konsideratë kërkesat shtesë lidhur me pagat", është shprehur ai.