
Eduart Danaj, 50-vjeçari vlonjat që masakroi me thikë mëngjesin e 16 majit bashkëshorten e tij, Enkelejda Danajn, është lënë në qeli.
Sipas asaj që mediat greke bëjnë me dije Gjykata ka vendosur masën “arrest me burg” për shqiptarin i cili ditë më parë vrau me thikë partneren e tij 40-vjeçare. Mbi shqiptarin rëndojnë tre akuza, për “vrasje me paramendim”, “armëbjajtje pa leje” dhe “përdorim të armëve”.
Kokëulur para gjyqtarëve, Danaj tha se është në gjendje të rënduar shpirtërore dhe është penduar për krimin monstruoz. Teksa pranoi krimin e rëndë, shqiptari kërkoi falje dhe deklaroi se i vjen keq për veprimet e tij.
Ngjarja ndodhi mëngjesin e 16 majit në Menidi të Greqisë, ku Eduart Danaj i bëri pritë bashkëshortes së tij. Gruaja po përshkonte rrugën që bënte çdo ditë, kur para i doli partneri dhe pas një debati e qëlloi 10 herë me thikë në bark dhe ashtu të gjakosur e la në mes të rrugës.
Pas ngjarjes së rëndë 50-vjeçari vlonjat u largua dhe policia u vu në ndjekje të tij, ku vetëm pas disa orësh bënë të mundur arrestimin e shqiptarit.
Sipas asaj që mediat greke zbuluan më herët 40-vjeçarja e kishte denoncuar disa herë bashkëshortin e saj për dhunë. Për herë të parë gruaja ka denoncuar burrin për dhunë në familje më 3 Prill të 2013. Atë kohë bashkëshorti u arrestua.
Një tjetër denoncim është bërë në 18 shtator të 2022, ku viktima ka denoncuar burrin për kërcënime, lëndim fizik dhe dhunë psikologjike. Atë kohë sërish ai ra në prangat e policisë dhe u lirua disa kohë më vonë. 50-vjeçari u rikthye sërish te banesa e bashkëshortes së tij, pa çka se kishte një urdhërndalimi që t’i afrohej.
Ishte vetë 40-vjeçarja ajo e cila i hapi derën e shtëpisë partnerit të saj dhunues duke u dhënë dhe një tjetër mundësi. Mirëpo burri i dhunshëm duket se nuk do të hiqte “huqin”. 40-vjeçarja sërish më 7 maj të 2024 ka denoncuar në polici, sërish bashkëshortin për dhunë në familje (kanosje, lëndim fizik dhe abuzim verbal).