
Drejtoresha e Spitalit të Dibrës, Irini Shehu është shkarkuar nga detyra këtë të premte. Shkarkimi i saj nga ky post ka ardhur pasi dhunoi shefin e financave të spitalit, Shaban Uklala.
Burime për mediat bëjnë me dije se pas shkarkimit të Shehut, në postin e drejtorit është komanduar përkohësisht Astrit Ademi.
Kujtojmë se episodi i dhunës mes Shehut dhe Uklalës u regjistrua disa ditë më parë. Ishte ky i fundit i cili denoncoi publikisht dhe në Polici drejtoreshën e Spitalit të Dibrës për dhunën e ushtruar ndaj tij.
Ngjarja e paprecedentë ndodhi më 11 shkurt, ku pas fyrjeve personale mes drejtoreshës dhe shefit të Financave gjatë një mbledhje të stafit, u zhvendos në zyrën e këtij të fundit pak më vonë.
Siç dhe u raportua më herët drejtoresha i kishte shkuar në zyrë Uklalës dhe gjatë përplasjes verbale kishte marrë një shishe dhe e kishte goditur në fytyrë duke i shkaktuar dëmtime.