Instituti i Statistikave ka publikuar ditën e sotme të dhënat e Censin 2023 të Popullsisë dhe Banesave.
Lajmin e ka ndarë Drejtoresha e INSTAT, Elsa Dhuli, e cila bëri me dije se sipas të dhënave të grumbulluara në Shqipëri rezultojnë 2.412.113 banorë.
Po ashtu rezulton se vendi ynë ka 409 mijë e 831 banorë më pak, ose afro 17% se në vitin 2011. Ndërsa, numri i popullsisë nga Censi i vitit 2001 ishte 3,069,275 banorë.
"Ky cens, vlerësoi në territorin shqiptar në datë 18 shtator 2023, 2 402 113 banorë, të cilët përbëjnë 755 950 familje, me madhësi mesatare 3.2 anëtarë për familje, të cilët jetojnë në 1 082 529 banesa të zakonshme. Sot, kemi kënaqësinë të prezantojmë në detaje informacionet që lidhen me këtë proces, duke treguar në të njejtën kohë, se ky cens ka arritur qëllimin për të cilin u krye, ka justifikuar investimet afatgjata, mbështetjen financiare, nevojën e përdoruesve.
Por, nuk do të mjaftohemi me rezultatet që do të ndahen me ju sot, pasi puna dhe angazhimi ynë do të vijojë për sigurimin e informacioneve të detajuara, në nivel qarku, bashkie apo njësie më të vogël gjeografike. Analiza dhe studime tematike do të kryhen për fusha të ndryshme të jetës. Këto analiza do të jenë për përdoruesit një burim informacioni për të ndërtuar një të ardhme më të mirë, më të barabartë dhe të qëndrueshme për të gjithë shoqërinë.
Të dhënat, janë një e mirë publike, dhe ju ofrohen hartuesve të politikave, vendimarrëseve, studiuesve, bizneseve, për ti përdorur për planifikimin zhvillimor, analizën e dukurive demografike, sociale, ekonomike dhe mjedisore, marrjen e vendimeve të rëndësishme dhe zbatimin e tyre në praktikë në dobi të shoqërisë sonë.
Në emër të INSTAT dhe Ekipit të cens, falenderoj qytetarët për kontributin e tyre në përfundimin me sukses të këtij procesi, duke dhënë informacion për veten dhe familjarët e tyre", tha Elsa Dhuli.