Protestuesit e shumtë që janë grumbulluar në hyre të Bashkisë së Tiranës kanë mundur të çajnë rrethimin dhe të largojnë kordonin metalik që është vendosur mes tyre dhe forcave të policisë. Situata është përshkallëzuar.
Siç shihet dhe nga pamjet, ka shtyrje dhe grushte mes qytetarëve dhe policëve, në tentativë për të hyrë brenda ambienteve të Bashkisë së Tiranës.
Ndërkohë, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejt kanë dalë menjëherë nga situata e gatishmërisë ku ndodheshin dhe kanë formuar një kordon të dytë, për të mos lejuar që protestuesit të arrijnë ambientet e bashkisë.
Protesta ka nisur prej orës 11.00 të kësaj të premte dhe vijon dhe aktualisht, mes tensioneve dhe përplasjeve të qytetarëve me policët. Edhe anëtarët e Këshillit Bashkiak, përfaqësues të opozitës dhe drejtues të kësaj proteste, kërkojnë të hyjnë në bashki.
View this post on Instagram
15 shishe me molotovë janë hedhur në drejtim të derës së godinës së Bashkisë Tiranë, duke shkaktuar flakë dhe shtëllunga tymi.
Kjo është protesta e tretë që zhvillohet përpara ambienteve të institucionit të drejtuar nga kryebashkiaku socialist dhe opozita bashkë me shoqërinë civile dhe qytetarët kërkojnë dorëheqjen e tij për shkak të aferave të mëdha korruptive ku janë përfshirë bashkëpunëtorët e Veliaj.
Zyrtarët e lartë të Bashkisë Tiranës, katër ish-drejtorë duke përfshirë Mariglen Qaton, Taulant Tushën, Redi Mollën dhe Namik Simixhiun janë të akuzuar zyrtarisht nga Prokuroria e Posaçme për përfitime të paligjshme duke shpërdoruar detyrën e tyre zyrtare.
Ata sot janë pas hekurave në pritje për t'u përballur me akuzat se janë kthyer në biznesmenë duke marrë tenderat publikë nga Bashkia e Tiranës ndër vite.
Kryebashkiaku Erion Veliaj në një mesazh drejtuar qytetarëve ditë më parë, pranoi se bashkëpunëtorët (ish-drejtorët në Bashkinë e Tiranës) mund të kenë bërë "punë të pista" pas shpinës së tij, por ai vetë u zotua se ka bërë vetëm detyrën dhe ëhstë "i pastër".
Opozita dhe një pjesë e qytetarëve e konsiderojnë kryetarin e bashkisë si drejtues të skemës ku janë përfshirë vartësit e tij për të grabitur miliona euro nga paratë e taksapaguesve për të mbushur xhepat e tyre dhe të familjarëve.