Dhjetëra mijëra sllovakë dolën në rrugët e Bratislavës të premten për të protestuar kundër qeverisë së kryeministrit Robert Fico. Demonstrata kryesore u zhvillua në sheshin Eleftheria, ku sipas organizatorëve, morën pjesë rreth 60,000 persona, një shifër katër herë më e lartë se ajo e protestës së mbajtur dy javë më parë.
Të organizuar nga grupi “Paqja në Ukrainë”, protestuesit mbajtën pankarta me slogane kundër qeverisë, ndërsa brohorisnin “Mjaft me Fico” dhe “Ne jemi Evropa!”. Një moment simbolik u regjistrua kur pjesëmarrësit ndezën dritat e celularëve, pas një ndërprerjeje të shkurtër të energjisë elektrike.
Protesta të ngjashme u mbajtën edhe në 20 qytete të tjera të Sllovakisë, ku më e madhja pas Bratislavës u zhvillua në Kosice, me pjesëmarrjen e rreth 15,000 njerëzve.
Situata politike në vend është tensionuar ndjeshëm gjatë javëve të fundit, ndërsa qeveria e majtë nacionaliste e Ficos ka akuzuar opozitën se po përpiqet të krijojë destabilitet. Nga ana tjetër, partitë opozitare dhe organizatat e shoqërisë civile e cilësojnë këtë një taktikë për të shmangur përgjegjësinë e qeverisë ndaj problemeve që po përjeton vendi.
Shkaku kryesor i pakënaqësisë publike lidhet me vizitën private të Ficos në Moskë dhjetorin e kaluar, ku ai u takua me presidentin rus Vladimir Putin. Kjo vizitë, një nga të paktat nga një lider evropian pas nisjes së luftës në Ukrainë në vitin 2022, ka ngjallur reagime të ashpra brenda dhe jashtë Sllovakisë. Kryeministri ka justifikuar udhëtimin si një përpjekje për të garantuar furnizimin me gaz natyror për vendin e tij, pas vendimit të Ukrainës për të mos rinovuar marrëveshjen e tranzitit të gazit rus, duke ndërprerë dërgesat nga 1 janari.