
Prokuroria e Tiranës dhe Krimit Ekonomik kanë nisur një hetim ndaj pronares së librarisë Libri Universitar, Mirela Bardhi pas kallëzimit për falsifikim dhe shkelje të të drejtave të autorit.
Organi i akuzës ka dërguar në Gjykatë çështjen duke kërkuar masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për Mirela Bardhi e cila akuzohet për “Shkeljen e të drejtave të pronësisë intelektuale” dhe “Fshehja e të ardhurave”.
Ngjarja u zbulua nga shtëpia botuese “Onufri” e cila është e vetmja shtëpi botuese e cila ka të drejtën e autorit për veprat letrate të shkrimtarit të njohur Ismail Kadare.
Ka qenë Enxhi Hudhri, dizanjuese në shtëpinë botuese “Onufri”, njëkohësisht dhe vajza e pronarit të shtëpisë botuese Bujar Hudhri.
Kjo shtetase u paraqit në 10 Prill 2024 në librarinë “Book Store” dhe ka bërë blerje të 2 librave me autor Ismail Kadarenë, përkatësisht librat me titull “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” dhe “Pallati i ëndrrave”, botime këto që nuk janë prodhuar nga shtëpia botuese “Onufri”, por kopje të pa autorizuara.
Dyshimet nisën pasi libraria “Libri Universitar Book Store”, nga raportimi që ka bërë te “Onufri”, rezulton se për periudhën kohore nga 1 gusht 2023 deri më 1 janar 2024 nuk ishte shitur asnjë kopje e autorit Ismail Kadare dhe kjo e ka bërë të dyshoj se mund të jenë futur botime të kopjuara dhe të pa autorizuara nga ana e tyre si shtëpi botuese.
Për këtë arsye Hudhri, në 9 Prill ka blerë në këtë librari 3 libra me autor Isamil Kadaren, përkatësisht librat me titull “Prilli i thyer”, “Kush e solli Doruntinën” dhe “Kronikë në gur”, botime këto që nuk janë të shtëpisë se tyre botuese dhe janë kopje e pa autorizuar nga ana e tyre.
Kërkesa e prokurorisë për Mirela Bardhin është pranuar nga gjykata të hënën e 20 majit.
Ismail Kadare është shkrimtari më i mirë i letërsisë shqipe, ndër shkrimtarët më të mirë të letërsisë botërore bashkëkohore, dhe autori më i përkthyer jashtë vendit, fitues i disa çmimeve letrare ndërkombëtare dhe i nominuar me dhjetëra herë për çmimin Nobel