Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shpalli të mërkurën më 3 prill vendimin për konfirmimin ne detyrë të prokurorit të Tiranës, Platin Aliçka. Vendimi u mor në mënyrë unanime nga trupa e KPK e kryesuar nga Etleda Çiftja, me relator Lulzim Hamitajn dhe anëtar Roland Ilian.
Gjatë seancës dëgjimore më 2 prill nuk u evidentuan probleme domethënëse në asnjë prej kritereve të rivlerësimit, atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit.
Platin Aliçka e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë si oficer i Policisë Gjyqësore. Ai u emërua prokuror në Sarandë në vitin 2008 dhe u transferua në Prokurorinë e Elbasanit në vitin 2015 ku e ushtroi funksionin deri në 2016-ën.
Në vijim ai është komanduar pranë Prokurorisë së Tiranës ku dhe vijon të ushtrojnë detyrën pas caktimit nga KLP në maj të vitit 2023 nëpërmjet procedurës së lëvizjes paralele, raporton BIRN.
Komisioni nuk ka gjetur probleme për një apartament 65.33 m2 në Elbasan, të blerë nga prindërit në vitin 2000, ku ai ka zotëruar përkohësisht ¼ pjesë takuese nga trashëgimia. Në vitin 2017, subjekti dhe nëna i kanë dhuruar vëllait tjetër pjesën e tyre takuese.
KPK konstaton se Aliçka nuk është gjetur me probleme as për një apartament me sipërfaqe 85 m2 të blerë në Tiranë në vitin 2009 për çmimin 46 mijë euro, me burim kryesor disa hua dhe të ardhurat familjare.
Sipas Hamitajt, vjehrri i subjektit i cili ka dhënë një hua në vlerën 30 mijë euro ka rezultuar me burime të ligjshme për krijimin e kësaj shume. Por ashtu, KPK konstaton se edhe Aliçka ka pasur mundësi të shlyejë huanë me burime të ligjshme.
Nga analiza financiare e Komisionit për këtë pasuri, ka rezultuar me bilanc pozitiv edhe një huadhënës tjetër për shumën 1.5 milionë lekë.
Ndërsa huadhënësi i tretë, E.K., ka rezultuar me pamundësi financiare në shumën 337 mijë lekë për të dhënë shumën 5000 euro – gjetje për të cilën subjektit i është kaluar barrë prove. Aliçka deklaroi në seancë se huadhënësi kishte pasur të ardhura të mjaftueshme. Ai sqaroi se djali i huadhënësit që jeton në Itali prej vitesh nuk ka qenë bashkëpunues për të dërguar dokumentacion lidhur me të ardhurat e tij. Sipas subjektit, ai ka të ardhura të ligjshme të konsiderueshme pasi ka pasur leje qëndrimi të rregullt dhe është shtetas italian.
Edhe për këto dy hua, KPK konstatoi se prokurori Aliçka ka pasur mundësi për t'i shlyer.