Një prokuror i SPAK raportohet se është në presionin e elementëve të krimit të organizuar, pikërisht për shkak të të dhënave të vjedhura të sistemit TIMS që është rikthyer ditët e fundit në qendër të vëmendjes, shkruan newsbomb.al.
Edhe përse nuk ka emra konkretë, eksperti Ervin Karamuço është shprehur këtë të enjte në studion e emisionit "Top Story" se personazhe të botës së krimit kanë në dorë të dhënat e vjedhura nga sistemi TIMS në Policinë e Shtetit dhe tashmë kërcënojnë dhe njerëzit e drejtësisë.
"Që t'i kesh të dhënat është një gjë, mënyra sesi i përdor është një gjë tjetër. Kur i kryqëzon këto të dhëna që merr nga faqe të certifikuara, zyrtare me TIMS-e që t'i i ke vjedhur nga strukturat shtetërore për të parë si ka lëvizur prokurori. Ik e hajde etj, etj. Me kë ka ikur? Me çfarë targe ka iku? Kujt i shërben kjo", është shprehur ai.
Më tej, Ervin Karamuço e ka përforcuar qëndrimin e tij, kur ka deklaruar se disa institucione të shtetit shqiptar janë vënë në shërbim të grupeve edhe kriminale, për të mbledhur sa më shumë materiale për prokurorë të caktuar, që t'i shantazhojnë për vendimet që duhet të japin gjatë hetimeve.
"Këtu ka një problem! Disa prej strukturave shtetërore, nuk po them të gjitha, janë vënë në shërbim të disa grupimeve, qoftë edhe krimit të organizuar, për t'i shërbyer që të gjejnë materiale sa më shumë që një prokuror apo një tjetër ta vendosin me shpatulla për muri me shantazhe që ai të mos japi atë verdikt që duhet të japë", përmbylli eksperti Ervin Karamuço.
Ai shkoi më tej kur tha se SPAK po rrethohet nga grupime të cilat duan t'i prishin punë dhe synojnë kërcënime e deri te atentate ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve speciale. Madje, profesori përmendi dhe raste kur kushërinjtë e prokurorëve janë gjetur në Europë dhe u është bërë presion.
Në një rast tjetër, siç tregoi Ervin Karamuço, një person që kishte shumë kohë që qëndronte përpara godinës së SPAK dhe bënte fotografi të makinave dhe të prokurorëve, mbante dhe shënime, është shoqëruar dhe ka pranuar se paguhej për këtë por nuk ka treguar se nga kush.
"Mua më ngjan se SPAK po rrethohet gradualisht nga grupime të cilat duan t'i prishin punë, ta intimidojnë, kërcënojnë dhe pse jo, edhe të bëjnë atentat ndaj disa prokurorëve dhe gjyqtarëve. Indiciet kanë qenë. Para pak kohësh, një nga funksionarët e lartë të BKH-së ndaloi në gardhin e jashtëm të SPAK një person që kishte disa kohë që fotografonte dhe mbante shënime. Kush hynte, kush dilte, targa, prokurori, gjyqtari, etj, etj.
E morën me njësinë e posaçme të mbrojtjes. E çuan në Komisariatin nr.3. Ai pranoi deri diku që paguhej, por nuk kishte bërë vepër penale ende sepse duhet ta lidhnin me dikë, por nuk tregoi emra. Kjo nxjerr pikëpyetje shumë të madhe: Kush mund të jetë pas këtyre njerëzve që fotografojnë godinën e SPAK dhe prokurorët.
Po ju ndjekin familjarët në disa vende të Europës, deri në kushërinj të dytë. Po ju bëjnë presion që prokurori i SPAK të mos arrestojë një person apo tjetër, që ishin për t'u arrestuar. Dhe janë vonuar në arrest. Janë biznesmenë, edhe politikanë. Edhe i kanë intimiduar, edhe i kanë vënë në siklet shumë të madh me familjarët e tyre", vijoi eksperti dhe profesori Ervin Karamuço.
© Newsbomb.al