
Alfred Elezi, drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë së Qarkut Lezhës, është marrë në pyetje nga Prokuroria për aksidentin e ndodhur një muaj më parë në aksin rrugor “Lezhë-Milot”, ku mbeti e plagosur Lizë Jushi, gruaja e biznesmenit mirditor Viktor Jushi.
Gruaja e pronarit të Hotelit të Gjuetisë ishte duke drejtuar mjetin tip Mercedes Benz kur është përplasur nga një mjet tip "Lexus", i cili drejtohej nga shtetasi James Doshi. Djali i politikanit Tom Doshi ia hodhi pa u lagur.
Materialet në ngarkim të tij u referuan në Prokurorinë e Lezhës, por 24 vjeçari mori makinën dhe u largua nga vendi i ngjarjes. Për këtë rast, është pezulluar nga detyra nënkomisari dhe njëherësh shefi i Rrugores në Lezhë, Ismet Sula, ndërsa janë pyetur efektivët dhe drejtuesit e tjerë.
Organi i akuzës ka pyetur për rastin dhe kryepolicin e Lezhës, Alfred Elezi pasi dyshohet se ai ka telefonuar Sulën dhe i ka kërkuar që djali i Tom Doshit të favorizohej në këtë aksident. Elezi ka sqaruar pozicionin e tij para prokurorit, ndërsa verifikimi i tabulateve telefonike pritet të nxjerrë se cili/cilët janë personat që kanë dhënë urdhër që James Doshi të largohet nga vendngjarja.
Hetimet janë shtrirë në të gjithë Drejtorinë e Policisë së Lezhës, për të verifikuar se cilët janë drejtuesit që kanë urdhëruar të mos kryhen procedurat standarde në një vendngjarje dhe për të marrë përgjegjësi penale, nëse do të ketë.
Gjithashtu, Prokuroria e Lezhës ka kërkuar verifikimin e tabulateve telefonike të efektivëve të Komisariatit të Policisë Rrugore, për të zbardhur rolin e secilit prej tyre në këtë aksident dhe cili nga eprorët i ka urdhëruar të mos bënin detyrën dhe të ngarkonin me përgjegjësi djalin e Tom Doshit.