Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

Prifti italian që u varros në Shqipëri, publikohet testamenti i Don Gianfranco Cadenelli

Shkruar nga Newsbomb
Prifti italian që u varros në Shqipëri, publikohet testamenti i
Prifti Don Gianfranco Cadenelli

Dioqeza e Rrëshenit ka bërë publike testamentin e priftit të ndjerë Don Gianfranco Cadenelli që humbi jetën më datë 30 tetor pas një lufte të gjatë me kancerin. Në letrën e bërë publike, ai i drejtohet të gjithë familjarëve të tij, miqve të zemrës dhe bashkëvëllezërve meshtarë.

Duke e nisur me falenderime kundrejt të gjithëve, prifti Don Gianfranco Cadenelli përmend të parin Hyjin për dhuratën e jetës e më pas u drejtohet me fjalë zemre të gjithë bashkëudhëtarëve që ka ndarë gjithë rrugëtimin.

"E pastaj kërkoj FALJE. Ua kërkoj të gjithëve: për mëkatet e mia, për mungesën e përgjigjes sime kundrejt dashurisë suaj, për papërshtatshmërinë time për ta jetuar shërbesën time… që nuk kam qenë i aftë në shumë gjëra... Prej Hyjit dëshiroj të marr shpërblimin e premtuar ndaj atyre që kanë jetuar me fe e me dashuri, dhe prej jush dëshiroj të kem shumë lutje për shpirtin tim që kjo të realizohet. Jo sepse e meritoj, por sepse ma ka premtuar Zoti, për të cilin kam dhënë jetën", ka shkruar prifti Cadenelli në testamentin e tij.

Në përmbyllje të kësaj letre, prifti Cadenelli tregon që gjatë jetës së tij nuk ka arritur të mbledhë të mira materiale pasi çfarë ka patur i ka përdorur për shërbesat e tij. Në pamundësi për të dhënë, ai kërkon të marrë prej Hyjit shpërblimin e një jetë të merituar me mirësi dhe dashuri, ndërsa si dëshirë të fundit, i ka dhuruar një kujtim të vogël gjithëkujt.

Testamenti i plotë: 

DISPOZITAT E MIA TESTAMENTARE, UNË I NËNSHKRUARI DON GIANFRANCO CADENELLI

BAZ – SHQIPËRI, 27.11.2020

Motrës sime Denise, vëllait Mauro dhe familjeve të tyre.

Të gjithë kushërinjve Cadenelli e Turrini.

Bashkëvëllezërve meshtarë, miqve dhe bashkëfshatarëve të vendit tim Vobarno-s, dhe të gjithëve atyre që kam njohur e u kam shërbyer përvujtërisht në famullitë e Roe Volciano-s dhe Montichiari-t, në Seminarin Dioqezan e në misionin Suç-Baz dhe në Seminarin Ndërdioqezan të Shkodrës.

Kam filluar që të shkruaj ndonjë rresht testamenti shpirtëror e material qysh në vitin 1985 (që kur ipeshkvi Foresti ua ka këshilluar të gjithë priftërinjve). Ky është varianti i tetë. Të tjerët i kam asgjësuar.

“Shpirtërisht” do të kisha shumë gjëra për të thënë, por nuk ndihem i aftë që t’i shpreh në mënyrën e duhur ato që ndiej. Gjithsesi nuk mjaftojnë kurrë fjalët për t’i shprehur disa ndjenja e për t’i komunikuar disa përvoja të jetës. Sidoqoftë, ja fjala ime e parë: FALEMINDERIT!

Mbi të gjitha, faleminderit Hyjit, për dhuratën e jetës, për dashurinë e tij dhe për të gjitha dhuratat e tij.

Faleminderit juve, familjarë të mi, miq, bashkëvëllezër meshtarë, seminaristë të asaj kohe (dhe atyre aktualë të Seminarit të Shkodrës) dhe të gjithëve atyre personave me të cilët kam bashkëndarë rrugëtimin. Edhe pse nuk po ju përmend emër për emër, secili nga ju e di se sa për zemër ju kam!

Prej Parajsës, ku shpresoj të rigjendem me atë, në këtë moment do të më dëgjojë nana ime, Santa. Asaj i them: faleminderit nanë, për gjithçka! Në Parajsë, së bashku me babën Anxhelo, njeri i thjeshtë, i varfër, i butë e i mirë, do të kalojmë një jetë të re, të bukur!

Zotin dua ta falënderoj veçanërisht që më ka thirrur në meshtari dhe që më ka bërë të jetoj përvoja të jashtëzakonshme, në shërbesa të ndryshme që padenjësisht më kanë qenë besuar.

E pastaj kërkoj FALJE. Ua kërkoj të gjithëve: për mëkatet e mia, për mungesën e përgjigjes sime kundrejt dashurisë suaj, për papërshtatshmërinë time për ta jetuar shërbesën time… që nuk kam qenë i aftë në shumë gjëra.

Për shembull, do të kisha dashur të isha më pranë familjes sime, por gjithmonë jam përfshirë nga nevojat e shërbimit për të cilin Zoti më ka thirrur.

Vuaja kur e mendoja këtë gjë. Por Zoti e di… do të ketë menduar Ai për tu qëndruar atyre pranë në vendin tim.

Materialisht nuk zotëroj shumë; kurrë nuk kam grumbulluar, të ardhurat që më jepeshin i kam përdorur gjithmonë për shërbesën time. Prandaj nuk ka probleme trashëgimie pasurore.

Më shumë se sa të lë, kam dëshirë që të marr!

Prej Hyjit dëshiroj të marr shpërblimin e premtuar ndaj atyre që kanë jetuar me fe e me dashuri, dhe prej jush dëshiroj të kem shumë lutje për shpirtin tim që kjo të realizohet. Jo sepse e meritoj, por sepse ma ka premtuar Zoti, për të cilin kam dhënë jetën.

Secilit prej jush dëshiroj t’i lë një kujtim të vogël, por menjëherë e kuptoj se nuk do të shërbente shumë.

Ta kujtojmë njëri-tjetrin në Zotin: ja çfarë vlen! Mirutakofshim në Parajsë.

Don Gianfranco

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese