Hapësire reklamuese

Aktualitet

Prifti arbëresh At Antonio Belushi përcillet për në banesën e fundit me flamurin e Shqipërisë dhe Kosovës

Shkruar nga Newsbomb
Prifti arbëresh At Antonio Belushi përcillet për në
Pamje nga ceremonia mortore e At Antonio Belushit

Ditën e sotme është përcjellë për në banesën e fundit, prifti arbëresh At Antonio Belushi, i cili ndërroi jetë dy ditë më parë.

Midis lotëve dhe dhimbjeve për ikjen e misionarit të vyer shqiptar, të afërmit e tij u kujdesën që ai të përcillej edhe me këngët arbëreshe dhe dy flamujt e bukur, shqiponjën dykrenare të Shqipërisë dhe Kosovës, që aq shumë i deshi gjatë jetës së tij.

Të pranishëm në ceremoninë mortore të zhvilluar në varrezat e Frasnitës në Kalabri kanë qenë edhe shumë shqiptarë, figura të njohura publike dhe arbëreshë të Italisë.

Zyrtari i Republikës së Kosovës, Vehbi Miftari i cili është përfaqësues i Kosovës për raportet diplomatike me Selinë e Shenjtë në Vatikan është kujdesur që kahas flamurit të Shqipërisë, mbi arkivolin e tij të vendosë edhe atë të Kosovës, vendin që ai loboi aq shumë për t’a mbrojtur përballë padrejtësive që po zhvilloheshin në kurriz të saj nga forcat shoviniste serbe.

I njohur ndryshe edhe si “Ati Shpirtëror i Arbëreshëve”, Belushi shërbeu për vite me radhë si misionar në mbrojtje të çështjeve shqiptare nëpër botë.

At Antonio Belushi (Bellusci) lindi në vitin 1934 dhe u arsimua për klerik. Ai ja kushtoi gjithë jetën qenies arbëreshe, mbijetesës së “gjakut të shprishur”. Veprimtaria e tij është shtrirë shumë përtej asaj të një kleriku dhe kap majat që ka njohur bota arbëreshe në kohën tonë.

Misionari At Antonio njihet për ruajtjen dhe kultivimin e vlerave të komunitetit që prezantonte. Më shumë se kaq, ai ka dhënë dëshmi të panumërta për mbrojtjen e kauzës shqiptare, sidomos asaj të Kosovës, si klerik dhe veprimtar shkencor e humanitar, gjithandej nëpër botë. Po ashtu Bellusci njihet si mbështetës i arvanitasve të Greqisë, të cilët i ka njohur dhe studiuar mbase si askush tjetër.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese