Nuk është hera e parë që një shqiptar emigrant në Itali humb jetën në vendin e punës apo në kantiera ndërtimi. Një prej tyre është dhe Abdulla Biskun, 58 vjeç i cili ndërroi jetë dy ditë më parë, më 16 prill pas një aksidenti në vendin e punës.
58 vjeçari, Abdulla Bisku i cili fatkeqësisht humbi jetën pasi u rrëzua nga një lartësi prej 4 metrash, jetonte në Asola rreth 300 metra larg nga vendi ku ndodhi aksidenti.
Mediat italiane i kanë kushtuar një artikull shqiptarit i cili prej 33 vitesh jetonte në shtetin italian.
“Kur vendi i tij ishte mes kaosit, ai ishte një ndër të parët shqiptarë që shkoi në zonën e Mantovanos në vitin 1991 me një anije plot me njerëz dhe vetëm me shpresë. Pasi zbriti në Brindisi, në muajt e parë u vendos në Piacenza e më tutje zgjodhi Asola-n për të jetuar.
Ai u vendos në Asola bashkë me 5 miq të tjerë. Pasi gjeti punë si murator ai mori me vete më vonë të vëllain, femrën që më pas u bë gruaja e tij dhe bashkatdhetarë të tjerë të cilët i ndihmoi që të gjejnë shtëpi, të punojnë dhe të integrohen në komunitet. E kur mbërriti në Asola kishte vetëm 6 shqiptarë, tashmë atje numërohen rreth 600 të tillë. Historia e tij është inspirim për të tjerë.”
Ky lajm i hidhur ka tronditur komunitetin shqiptar në Asola dhe prej dy ditësh në shtëpinë e tij të cilën e kishte blerë vetëm një vit e gjysmë më parë, kanë shkuar për ngushëllim bashkëatdhetarët dhe miqtë e 58-vjeçarit.
“Atje shkojnë e vijnë njerëz të veshur me të zeza. Familjarë, të afërm e miq tashmë i gjenden pranë bashkëshortes së tij dhe dy fëmijëve, Aldit, një student në universitet dhe Adelinës, një punonjëse në një kompani në zonë.
Në oborr janë shpërndarë karriget, është vendosur një tavolinë dhe një tabaka me cigare. Një traditë e shqiptarëve për t’ia ofruar atyre që iu gjenden pranë në këto ditë të vështira. Tashmë familja pret dritën jeshile për funeralin. 58-vjeçari Bisku ka shprehur në të shkuarën dëshirën që të varroset në atdhe." - shrkuan mediat italiane.
“Erdhi për një të ardhme më të mirë. E dinte që nuk do të kthehej më, por donte të ndihmonte familjen. Në Shqipëri e shihnin si “babagjyshi” pasi kur shkonte në vendlindje u dërgonte veshje dhe gjëra të tjera. Por jo vetëm në atdhe, edhe në Itali fjalët për të janë shumë të mirë. Atje kishte gjetur edhe pasionin për Juventusin e nuk humbte asnjë ndeshje të tyre. Pas shumë sforcove kishte arritur të blinte një shtëpi në Asola e një tjetër në qytetin e lindjes." - kujtojnë të afërm të tij.
“E njihja prej shumë vitesh. Ishte një person shumë aktiv në komunitet”, - tha nënkryetari i Bashkisë, Luciano Carminati.
Bisku po punonte për një kompani në rinovimin e një ndërtese. Teksa po shkatërronte një tarracë të vogël brenda rrethimit të brendshëm të ndërtesës ai ra nga një lartësi prej 3 metrash dhe përplasi kokën.
Vetëm para një javë një tjetër shqiptar humbi jetën duke punuar në një kanttier ndërtimi në Itali. Një 34-vjeçar shqiptar ra nga një lartësi 12 metra në kantierin e një pallati që po i rinovohej çatia në Milano.
Ndërsa po atë ditë, 12 prill një tjetër shqiptar 58-vjeçar humbi jetën në një kantier ndërtimi ku po bëheshin disa gërmime. Një pjesë e dheut u shëmb duke zënë poshtë 58-vjeçarin shqiptar.
Të gjitha këto aksidente në punë kanë bërë që të ketë reagime të forta nga komuniteti shqiptar në Itali por dhe nga Alessandro Capelli, sekretar i Partisë Demokratike Metropolitane të Milanos.
Sindikatat e punëtorëve në Milano dolën në protestë dhe në grevë ku kërkojnë që të vendosen rregulla urgjente, të thella dhe strikte për sigurinë e punëtorit në ambientët e punës.
“Dolëm në rrugë përkrah sindikatave për të mbështetur grevën e përgjithshme të thirrur për të ndriçuar në qendër të vëmendjes sigurinë në vendin e punës. Ky lajm tragjik kërkon që ne të vazhdojmë në këtë rrugë, nuk mund të qëndrojmë më në vend dhe të shikojmë këtë masakër të ngadaltë. Është koha për rregulla urgjente, të thella dhe konkrete, një bashkëpunim mes të gjitha forcave politike për t'iu kundërvënë këtij buletini të përditshëm lufte.”