Policia Rrugore ka marrë një sërë masash shtesë në të gjithë vendin, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore. Kjo, nisur nga shtimi i fluksit të automjeteve, kryesisht drejt zonave bregdetare, turistike dhe qendrave tregtare e urbane, si dhe bazuar në analizën e detajuar të shkaqeve të ngjarjeve rrugore.
Në të gjitha akset nacionale dhe qendrat e mëdha urbane janë intensifikuar monitorimet me mjetet inteligjente, radarët automatikë, me kamera dhe me patrulla të lëvizshme me mjete të paloguara.
Gjatë kësaj jave, në të gjithë vendin, si rezultat i monitorimit, nga shërbimet e Policisë Rrugore, janë evidentuar dhe arrestuar 45 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur, pa leje drejtimi apo në efektin e lëndëve narkotike.
Janë pezulluar 109 leje drejtimi, kryesisht për shpejtësi tej normave të lejuara dhe për drejtim mjeti në efektin e alkoolit apo të lëndëve narkotike.
Gjithashtu, janë goditur nga Policia Rrugore e Tiranës, 4 raste të tentativës për të korruptuar punonjësit e Policisë Rrugore, nga drejtuesit e automjeteve, me qëllim shmangien e masës adiministrative për shkeljen e kryer.
Në të gjithë vendin janë evidentuar dhe ndëshkuar me masë administrative gjithsej 27.377 drejtues automjetesh dhe motomjetesh, për shkelje të ndryshme, nga këto:
- 1254 drejtues automjetesh që përdornin celularin gjatë drejtimit të automjetit;
- 7845 drejtues automjetesh që qarkullonin me shpejtësi tej normave të lejuara, por pa masën plotësuese pezullim i lejes së drejtimit;
- 1516 drejtues automjetesh, për mosvendosje të rripit të sigurimit;
- 13 543 drejtues automjetesh, për parkime të gabuara;
- 351 drejtues motomjetesh, për mosvendosje të kaskës mbrojtëse.
- 2306 drejtues mjetesh janë ndëshkuar për parakim të gabuar.
- 562 për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.
Policia apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës, që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, pasi të gjitha rrugët monitorohen nga mjetet inteligjente dhe patrullat e lëvizshme të Policisë Rrugore.
Me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore, Policia e Shtetit fton qytetarët që të denoncojnë në numrin pa pagesë 112, çdo rast të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor.