Një 62 vjeçar me detyrë shofer i ambulancës së morgut të Vlorës, është arrestuar nga policia dhe akuzohet se ka filmuar gjatë rrugës trupin e pajetë të shtetasit Eraldo Nevruzi, i vrarë tre ditë më parë me armë zjarri në hotel "Greccia" në Dhërmi.
Blutë e qytetit bregdetar bëjnë me dije se grupi hetimor kishte marrë informacion se shoferi i autoambulancës që po transportonte për në morgun e Vlorës trupin e 31 vjeçarit, kishte filmuar me aparat celular trupin e pajetë për t'ua dërguar burimeve mediatike me qëllim publikimin.
Bazuar në këtë informacion, shtetasit A. I., 62 vjeç i është bërë këqyrja e aparatit celular nga grupi hetimor dhe në të janë gjetur pamjet filmike të trupit të shtetasit Eraldo Nevruzi, të cilat ua kishte dërguar gazetarëve lokalë me qëllim publikimin.
Në këto kushte, është bërë ndalimi i menjëhershëm i shoferit të ambulancës së morgut për veprën penale “Zbulimi i akteve dhe të dhënave sekrete”. Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë falënderon gazetarët që nuk pranuan të publikonin videon me pamje të rënda dërguar nga ky shtetas.
Recepsionisti Eraldo Nevruzi u vra me armë zjarri në ambientet e hotel "Greccia" nga pronari, shtetasi Gerald Shehu, i cili menjëherë pas ngjarjes tentoi të arratisej dhe u kap në Aeroportin Ndërkombëtar të Korfuzit. Në pranga kanë rënë dhe dy punonjës të hotelit, Daniel Qose dhe David Larti, të cilët e kanë ndihmuar autorin të transportojë dhe fsheh trupin e 31 vjeçarit.
Himarë/Informacion shtesë
Në vijim të veprimeve hetimore që po kryhen nga grupi hetimor për dokumentimin e plotë ligjor të vrasjes së shtetasit E. N., grupi hetimor ka marrë informacion se shoferi i autoambulancës që po transportonte për në morgun e Vlorës trupin e shtetasit E. N., i cili u vra me armë zjarri nga shtetasi G. Sh., kishte filmuar me aparat celular trupin e pajetë për t'ua dërguar burimeve mediatike me qëllim publikimin.
Bazuar në këtë informacion, shtetasit A. I., 62 vjeç, me detyrë shofer i ambulancës së morgut, i është bërë këqyrja e aparatit celular nga grupi hetimor, ku i janë gjetur pamjet filmike të trupit të shtetasit E. N., të cilat ua kishte dërguar burimeve mediatike me qëllim publikimin.
Në vijim të veprimeve, u bë ndalimi i shtetasit A. I., 62 vjeç, me detyrë shofer i ambulancës së morgut Vlorë, për veprën penale “Zbulimi i akteve dhe të dhënave sekrete”.
Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë falënderon gazetarët që nuk pranuan të publikonin videon e dërguar nga ky shtetas të trupit të pajetë të shtetasit E. N.