Edhe pse ka kaluar më shumë se një javë nga masakra në Shkodër, ku humbën jetën katër persona, Hamza Lici, Arlind Bushati dhe çifti i Bashkim dhe Flutura Basha, personi i tretë që ishte në makinën që u qëllua me breshëri plumbash mbetet ende mister.
Edhe pse nuk ka asgjë zyrtare ende, dyshohet se personi i tretë është Ibrahim Lici i njohur dhe si “Fantazma” dhe se ndodhet për mjekim në një klinikë private në jug, pasi dyshohet se ka marrë dy plumba nga atentati.
Burime për media bëjnë me dije se policia ka nisur kontrollet në klinikat private në Fier dhe Vlorë, por që ende nuk ka asnjë rezultat.
Kujtojmë që ditën e djeshme u raportua se kishin përfunduar hetimet në makinën që drejtohej nga viktima Hamza Lici, ku u gjetën armë, disa dokumente por edhe gjurmë që mund të çonin në identifikimin e personit të tretë.
Fatkeqësisht kjo ngjarje pati pasoja të rënda me 4 viktima, ku mbetën të vdekur Hamza Lici, Arlind Bushati dhe dy kalimtarë të rastit, Bashkim dhe Flutura Basha. Ende nuk janë identifikuar autorët të cilët kanë djegur dhe automjetin me të cilin kryen atentatin, por policia dyshon se kanë qenë dy ekzekutorë me kallashnikovë dhe një i tretë që drejtonte makinën e tyre.