Një 29-vjeçar shqiptar ka rënë në prangat e policisë italiane pasi akuzohet për shpërndarje të lëndëve narkotike. Sipas mediave të huaja mësohet se shqiptari i cili jetonte në shtetin fqinj në mënyrë ilegale është kapur në flagrancë duke shpërndarë kokainë.
Përpos të riut shqiptar në pranga ra edhe një 33-vjeçare e cila dyshohet si konsumatorë drogë dhe po trajtohet me hetim të veçuar.
Mediat raportuan se agjentët sekretë kishin kohë që e ndiqnin 29-vjeçarin, pasi ky i fundit kishte bërë lëvizje të çuditshme në zonën e "Scalo Farinit".
Në momentin që ishte duke udhëtuar përgjatë “Via Valtellina”, karabinierët vunë re që shqiptari u ndal në Curio Dentato dhe pak minuta më pas brenda hipi një 33-vjeçare. Të dy kanë bërë një shkëmbim të dyshimtë dhe në këtë moment policia ndërhyri.
Nga kontrollet u kap doza prej 1.44 gramë që shqiptari po ja jepte 33-vjeçares. Gjithashtu, karabinierët arritën të gjejnë dhe sekuestrojnë në automjetin e tij 120 euro cash, ndërsa në portofolin e 29-vjeçarit kishte edhe 490 euro të tjera në kartëmonedha të prerjeve të vogla.
Shqiptari rezultoi se ishte një emigrant i paligjshëm në Itali dhe pa aktivitet pune. Ai është arrestuar menjëherë për posedim të lëndëve narkotike për qëllime trafiku.