
Një sherr me thika ndodhi mesditën e sotme në Maliq, mes dy të miturve, përkatësisht 14 dhe 15-vjeç, ndërsa ky i fundit ka mbetur i plagosur, por jashtë rrezikut për jetën.
Gjyshja e autorit 14-vjeçar, Arefije Kora, ka folur rreth kësaj ngjarje duke shprehur se në momentin që ai kishte shkuar në shtëpi e kishte njoftuar duke thënë: “Nëna, u zura me atë djalin që më tallte shumë”.
Kora shpjegon për “News24” situatën e sherrit se si nipi i saj 14-vjeçar ia ka shpjeguar në momentin kur ai kishte shkuar në shtëpi, duke theksuar se pikërisht 15-vjeçari ishte ai që e kishte shtrirë përtokë dhe se nuk donte ta godiste atë me thikë.
“Unë isha në shtëpi, vjen djali që nga shkolla, nuk e di a vajti në shtëpi a nuk vajti, se unë djalin e kam në shtëpi më vete. Më tha: ‘Nëna, u zura me atë djalin që më tallte shumë’. Nuk pandeha që ishte bërë kaq e madhe. Më tha: ‘Unë kisha atë thikën, ai më shtriu në tokë, unë nuk do e godisja, por nuk e di si e zuri thika. Unë nuk e mora për atë thikën. Ai më shtriu i pari në tokë, unë siç lëviza, e zuri thika”, shprehet ajo.
Gjithashtu, gjyshja e autori thotë se ka shkuar tek familja e të plagosurit për të sqaruar ngjarjen, por aty i kishin shpjeguar se e kishin dërguar menjëherë në spitalin e Korçës, pasi sipas tyre djali ishte në gjendje kritike për jetën.
“Nga këtu shkova te i ati, më doli gjyshja, i tregova, po thërriste ajo dhe ka të drejtë, nuk i zemërohem dot. Më tha: ‘Djalin e çuam në Korçë, o bëhet, o nuk bëhet’. Marrim taksinë për të shkuar në Korçë, rrugës marrim të gjyshin e djalit dhe e pyesim si është, se jemi nisur. ‘Ne djalin e kemi në Korçë’, na tha, ‘por mos hajdeni se po erdhët do bëhet e madhja, do vritemi, nuk ju lë të gjallë’. U kthyem, gjetëm policinë, i pyetëm, na thanë po kërkojmë thikën”, tha Kora.
Ndër të tjera, thekson se atë e tallnin shumë dhe se shpesheherë djali nuk shkonte në shkollë për shkak të bullizimeve që atij i bënin. Sakaq, Kora ka thënë se shkonin tek familja e 15-vjeçarit dhe ata i thonin se do i flisnin djalit të tyre për të mos e bërë më si veprim.
E tallnin shumë djalin, më shumë pa shkollë djali se me shkollë. Ca e tallnin andej, ca i thoshim: ‘Do shkosh në shkollë se s’bën’. Më tallnin, thoshte, po pse, nuk e di. Ju kam vajtur në shtëpi, nuk e di unë, e shkreta. Nuk janë shokë klase. Ne ankoheshim tek këta, djalin e tallte dhe vinte në shtëpi duke qarë. Ne familjarët na thonin: ‘Do i flasim djalit dhe do e zgjidhim’. Ju thosha: ‘Po na mbetet djali pa shkollë, djali është në klasë të shtatë’. I thoshim: ‘Shko te mësuesi, tako dhe drejtorin’.
Një thikë të vogël kishte, e gjeti policia, nga shtëpia do e ketë marrë. Thikë e shtëpisë ishte, një që qëronim mollë. Unë nuk e dija që ishin zënë, po bëja drekën kur erdhi ai duke qarë. Unë po i thoja: ‘Çfarë na bëre?’, ai u hutua më shumë. Shyqyr që është djali mirë, në radhë të parë për ata, por edhe për ne.
Ata e kanë në dorë. Mos zihen as me nusen, as me djalin, mos i dalin djalit përpara e t’i thonë: ‘Ç’më bëre djalit’. Këtë duam ne. Ne në shkollë nuk jemi ankuar, te prindërit e djalit kemi shkuar. Ky djali e tallte gjithmonë, për këtë ankohej”, tha ajo.