
Dy persona janë duke u proceduar në gjendje të lirë në lidhje me djalin e ish-deputetit të PD-së, Mhill Fufi, 19-vjeçarin Kristi Fufi, të cilin e plagosën me sende të forta në rezdiencën “Long Hill”, më datë 25 prill.
Shtetasit, D. D., 37 vjeç dhe A. L., 38 vjeç janë të akuzuar për veprat penale “Plagosje e lehtë me dashje” dhe “Kanosje”, ndërsa ende janë duke punuar për zbardhjen e plotë të rrethanave.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:
-D. D., 37 vjeç dhe A. L., 38 vjeç, për veprat penale “Plagosje e lehtë me dashje” dhe “Kanosje”, pasi dyshohet se kanë qenë të përfshirë në konfliktin e ndodhur në një residencë, në Farkë, me datë 25.04.2025”, thuhet në njoftimin e policisë.
Kristi Fufi, djali 19 vjeçar i ish-deputetit të PD, Mhill Fufi është dhunuar brutalisht mbrëmjen e 25 prillit në zonën e Lundrës. Sherri ka ndodhur në një prej lagjeve më luksoze të periferisë së Tiranës, në “Long Hill Residence”, dhe Policia ka nisur hetimet.
E gjithë ngjarja ka ndodhur në një lokal të zonës dhe është regjistruar nga kamerat e sigurisë. Djali i ish-deputetit është rrahur me shkopinj bejsbolli nga disa persona dhe ka marrë dëmtime të shumta në kokë dhe trup.
Për pasojë, Kristi Fufi ndodhet në Spitalin e Traumës, nën kujdesin e mjekëve.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:15 dhe grupi hetimor ka shkuar menjëherë në vendngjarje, për sqarimin e rrethanave të rastit si dhe identifikimin e personave të përfshirë në konflikt, ndërkohë që deri tani nuk ka një njoftim.
Dyshimet janë se kemi të bëjmë me një konflikt mes të rinjve ku është përfshirë Kristi Fufi dhe nuk ka lidhje me detyrën që ka mbajtur dikur babai i tij. Megjithatë, do të jenë hetuesit ata që do të zbardhin dinamikën dhe shkaqet e sherrit, pasi të pyetet dhe vetë 19 vjeçari.
Dyshimet janë se djali i ish-deputetit Mhill Fufi i njeh personat që e kanë dhunuar dhe nga dëshmia e tij pritet të zbardhen dhe emrat e personave që e qëlluan me shkopa bejsbolli.