SPAK ka vendosur t’i konfiskojë pasurinë Eridan Veliut. Emri i tij lidhet me një prej proceseve më të mëdha gjyqësore në Belgjikë, të njohur si “Sky ECC,” ku janë përfshirë 124 të akuzuar për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Në këtë proces, Veliu, i njohur edhe si Eridan Munoz Guerrero, 51 vjeç (me mbiemrin e gruas kolumbiane), u identifikua si drejtues i një rrjeti të gjerë trafiku droge. Ai është dënuar me 14 vite burg nga drejtësia belge.
“Kam qenë në krye të një organizate kriminale dhe kam marrë pjesë në trafik droge. Kam rrezikuar dhe kam humbur,” deklaroi ai në seancën e parë gjyqësore.
Hetimi lidhet me trafikun ndërkombëtar të kokainës dhe marijuanës, një operacion që u çmontua nga policia belge gjatë viteve 2021-2022, në bashkëpunim me autoritetet italiane dhe gjermane. Ky operacion, i quajtur “Encro” dhe “Sky EÇ,” ishte i bazuar në dekriptimin e mesazheve nga platformat “Encrochat” dhe “Sky EÇ,” të përdorura gjerësisht nga trafikantët e drogës.
Droga transportohej kryesisht me kontejnerë nga Amerika e Jugut dhe Maroku, përmes porteve kryesore evropiane si Antëerp në Belgjikë, Roterdam në Holandë, Hamburg në Gjermani dhe Le Havre në Francë. Prokuroria belgë deklaron se ka identifikuar grupe të strukturuara kriminale që veprojnë prej vitit 2017 dhe kanë lidhje tregtare ilegale mes tyre.
Ky hetim nisi në verën e vitit 2020, kur një zjarr në një apartament në Bruksel zbardhi një laborator kokaine të maskuar si hapësirë banimi. Ky incident u shndërrua në pikënisjen e zbulimit të një prej organizatave më të mëdha të trafikut të drogës në Belgjikë.
Operacioni kulmoi më 21 tetor 2021, me bastisje të njëkohshme në 114 lokacione në të gjithë Belgjikën, ku morën pjesë mbi 1100 oficerë policie. Autoritetet konfiskuan 32 ton kokainë, shuma të mëdha parash, dhjetëra automjete, armë, produkte luksi dhe prona të tjera.
Ndërkohë, edhe SPAK në Shqipëri ka sekuestruar pasuri të Eridan Guerreros. Një pjesë e fondeve të kësaj organizate kriminale rezulton të jetë transferuar dhe investuar në Shqipëri.