Për herë të parë janë publikuar fotot e Fatmir Troplinit, i njohur ndryshe si “Miri i Pojës” dhe Aldo Avdylajt.
Troplini dhe Avdylaj janë të dy personazhe të njohur për drejtësinë. Për këta shtetas, Prokuroria e Posaçme ditë më parë firmosi urdhër-arreste, si ndër personat e dyshuar për përfshirje në disa ngjarje kriminale, mes emrave më të njohur të botës së krimit.
Gazetarja Klodiana Lala në emisionin “Shënjestër” publikoi për herë të parë mbrëmjen e sotme portretet e dy prej personave të cilëve emri i është përmendur gjerë e gjatë, mirëpo fytyra e tyre nuk dihej.
“Miri i Pojës” dhe Aldo Avdylaj dolën nga transkriptet e aplikacionit SKY i cili çoi në një operacion të gjerë të SPAK, duke urdhëruar arrestimin e të paktën 50 personave.
Vetë Fatmir Troplini dyshohet se akuzohet për veprën penale sigurim i kushteve me qëllim vrasjen e Preng Gjinit në Tiranë, porosi kjo e dhënë nga familja Reçi. Protagonizmi i tij ka dalë gjatë një hetimi të kryer nga SPAK, ku përmes bisedave të "Sky" ai flet me persona të tjerë, duke i shitur apo blerë një sasi eksplozivi të pajisur me telekomandë. Kjo sasi tritoli më pas i është vendosur në automjetin tip “Benz-Mercedes” të përdorur nga Preng Gjini.
Shpërthimi i telekomanduar ka ndodhur në urën e Nisharakut në Tiranë, duke sjellë plagosjen e rëndë të Gjinit. Gjatë këtij mega-operacioni të zhvilluar javën që lamë pas forcat Speciale RENEA “mësynë” në ambientet e biznesit në Shkozet të Durrësit në pronësi të Fatmir Troplinit. Me shpresën për të gjetur “Mirin e Pojës”, forcat speciale gjetën dhe sekuestruan një sasi të madhe parash cash.
Ndërkohë, emri i Aldo Avdylajt shfaqet në dosjen e SPAK si pjesë e aleancës së thirrut nga ish-deputeti socialist, Arben Ndoka, për të hequr qafe Durim Bamin.
Sipas asaj që SPAK bëri me dije Ervis Martinaj kishte bërë aleancë me grupin kriminal i cili vepronte në qytetin e Lezhës dhe drejtohej nga ish deputeti i Partisë Socialiste, Arben Ndoka.
Dy grupet kriminale, ai i Martinajt dhe i Ndokës rekrutuan vrasës me pagesë të cilët veprojnë kryesisht në zonën e Fushë-Krujës dhe atë të Burrelit. Në shënjestër të Martinajt ka qenë Fatmir Hyseni, për ekzekutimin e të cilit “mbreti” i lojërave të fatit pagoi Viktor Imerin .
Në ndihmë të Martinajt dhe Ndokës kanë ardhur dhe Emiljano Shullazi si dhe Aldo Avdylaj, të cilët edhe pse në kushtet e paraburgimit ndihmuan dy kokat e grupeve kriminale për të ekzekutuar një tjetër eksponent të krimit, Durim Bamin.
Kujtojmë se vëllezërit Valter dhe Durim Bami, miq dhe me lidhje të forta me grupin e Avdylajve në Shijak, janë kthyer prej kohësh në rivalë dhe dyshohet se kanë urdhëruar e porositur disa atentate ndaj njëri-tjetrit. Durim Bami njihet si “i fortë” i Niklës.