Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri ka reaguar pas vendimit të presidentit amerikan Donald Trump për të pezulluar përkohësisht fondet e ndihmës ndërkombëtare të SHBA-së, duke theksuar angazhimin e vazhdueshëm të BE-së për mbështetjen e reformës në drejtësi.
Sipas delegacionit, BE-ja ka luajtur një rol kyç në financimin dhe asistencën teknike për këtë reformë që prej vitit 2016. Deri më tani, BE-ja ka ofruar mbi 50 milionë euro për ndërtimin e institucioneve të reja të drejtësisë, përfshirë mbështetje të drejtpërdrejtë buxhetore dhe projekte teknike. Këto fonde pritet të vijojnë pa ndërprerje përmes Mekanizmit të Rritjes dhe Reformës për Ballkanin Perëndimor.
"Kemi marrë dijeni për njoftimin e bërë nga Presidenti Trump për të pezulluar përkohësisht të gjitha programet e ndihmës së huaj të SHBA-së për 90 ditë në pritje të rishikimeve nga administrata e re. BE-ja ka qenë në pararojë të dhënies së ndihmës për reformën në drejtësi dhe është e vendosur të vazhdojë ta mbështesë reformën në drejtësi në Shqipëri.
Që kur sistemi i drejtësisë iu nënshtrua një reforme thelbësore në vitin 2016, BE-ja e ka intensifikuar ndjeshëm këtë mbështetje. Kjo përfshinte mbështetje buxhetore dhe mbi 50 milionë euro asistencë teknike, duke synuar veçanërisht ndërtimin e institucioneve. Burime të tjera të rëndësishme parashikohen për ta vazhduar këtë mbështetje pa probleme, përfshirë përmes Mekanizmit të Rritjes dhe Reformës për Ballkanin Perëndimor," thuhet në reagim.
Përsa i përket SPAK-ut, delegacioni i BE vë në pah faktin se ky institucion që nga krijimi i saj, ka marrë asistencë të dedikuar përmes projekteve EU4LEA dhe EU4FOCAL, me një buxhet prej mbi 8 milionë euro.
"Roli i SPAK-ut dhe pavarësia e tij në hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e çështjeve komplekse të korrupsionit është i një rëndësie kyçe. BE-ja e ka mbështetur SPAK-un që nga themelimi i tij nëpërmjet asistencës teknike të dedikuar në kuadër të projekteve EU4LEA dhe EU4 FOCAL me buxhet të përgjithshëm mbi 8 milionë euro.
SPAK-u ka prodhuar rezultate të prekshme, duke kontribuar në përpjekjet e përgjithshme të Shqipërisë për të krijuar një historik të besueshëm në luftën kundër krimeve të rënda, krimit të organizuar dhe korrupsionit, përfshirë në nivel të lartë," theksohet më tej në reagim.
Kujtojmë se vendimi i administratës së Trump për të pezulluar fondet amerikane për një periudhë 90-ditore prek edhe SPAK-un, pasi Ambasada e SHBA-së në Shqipëri ka njoftuar zyrtarisht qeverinë shqiptare për ndërprerjen e përkohshme të financimeve.
Pezullimi është pjesë e një rishikimi të gjerë të ndihmës së huaj nga administrata e re amerikane, me qëllim përshtatjen e saj me prioritetet e politikës së jashtme të SHBA-së. Pas përfundimit të periudhës 90-ditore, pritet të merret një vendim përfundimtar mbi vazhdimin ose ndërprerjen e këtyre fondeve.