
Autori i mijëra teksteve të këngëve shqiptare dhe poeti i njohur, Agim Doçi, prej mëngjesit së ditës së djeshme ndodhet në gjendje të rëndë për jetën. Ai pësoi goditje në tru dhe po vijon të jetë i shtruar në QSUT ku mjekët po bëjnë gjithçka për ta shpëtuar.
Burime për mediat bëjnë me dije se gjendja shëndetësore e poetit nuk ka asnjë përmirësim dhe vijon të jetë në rrezik për jetën.
Agim Doçi u dërgua me urgjencë rreth rorës 05:30 të mëngjesit të djeshëm në QSUT. Ai pësoi hemoragji cerebrale në tru dhe duke qenë se nuk është hera e parë gjendja shëndetësore e tij është e rëndë. Ndihma e parë iu dha menjëherë sapo mbërriti në urgjencën e spitalit, ndërkohë më pas 76-vjeçari u fut në sallën e reaminacionit, ku vijon të jetë edhe sot.
Newsbomb.al raportoi ditën e djeshme se në krye të ekipit të mjekëve të Spitalit të Neurologjisë nr.5 është vetë drejtoresha e re e QSUT, Alma Cani, duke provuar gatishmërinë dhe përpjekjet maksimale të mantelbardhëve për të mbajtur në jetë Agim Doçin.
I cilësuar si një poet kollos dhe një ndër mendjet më të mprehta shqiptare, Agim Doçi ka lindur më 9 Maj 1948. Ai është diplomuar për Inxhinieri, por kishte një pasion të rrallë për letërsinë dhe ka krijuar më shumë se 3.000 tekste të këngëve që janë kënduar nëpër festivalet shqiptare. Për kontributin e tij të pashoq, Presidenti i ndjerë Bujar Nishani i dha titullin “Mjeshtër i Madh”.