
Policia ka vënë në pranga drejtorin e OSHEE Peqin, pasi ka zbuluar një magazinë të përshtatur për kultivim të cannabisit, me anë të llambave. Drejtori i OSHEE, Peqin rezulton të jetë edhe pronari i magazinës në fjalë.
Përmes një njoftimi zyrtar policia bën me dije se janë procedohen penalisht 2 punonjës të këtij institucioni, për shpërdorim të detyrave dhe moskallëzim të krimit. Gjithashtu janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, pajisje elektrike dhe sende të tjera që shërbinin për të kultivuar bimët narkotike, si dhe një sasi e vogël lënde narkotike cannabis.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.
"Në kuadër të operacionit Inside, u arrestua shtetasi G. K., 37 vjeç, banues në Peqin, pronari i magazinës, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike ose e impulseve telefonike”.
Nga kontrolli në magazinën në pronësi të 37-vjeçarit, në fshatin Fatishe, Policia konstatoi se ky ambient ishte përshtatur për kultivim dhe prodhim të kanabisit, me pajisje që furnizoheshin me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.
Në vijim të veprimeve procedurale, u bë ndalimi i shtetasit E. M., 33 vjeç, banues në Peqin, me detyrë Drejtor i OSHEE, Peqin, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Moskallëzimi i krimit”.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Moskallëzimi i krimit”, për shtetasin M. P., 60 vjeç, me detyrë elektricist i OSHEE, Peqin, dhe për shtetasin A. K., 33 vjeç, me detyrë faturist i këtij institucioni.
Vijojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale, si dhe për dokumentmin e plotë ligjor të këtij rasti," njofton policia.