Dhjetëra protestues janë mbledhur këtë të enjte para ambienteve të Kuvendit ku dhe po protestojnë pas investigimit të televizionit Rai3 për Shqipërinë. Duke kërkuar largimin e qeverisë Rama, protestuesit njëzëri akuzojnë kryeministrin se është i kapur nga kriminelët.
Edhe gjatë kësaj proteste opozitarët kanë shkuar me të njëjtin skenar të ndjekur gjatë tubimeve para Bashkisë së Tiranës. Protestuesit i kanë vënë zjarrin gomave dhe kanë hedhur molotovë. Gjithashtu nuk kanë munguar as përplasjet me Policinë të cilët janë vendosur “gardh” para ambienteve të Kuvendit.
E pranishme në këtë protestë të opozitës është edhe vajza e ish-kryeministrit Sali Berisha, Argita Malltezi. Kujtojmë se kjo e fundit ditën e djeshme ritheksoi se përfshirja e saj në politikë ka ardhur për faktin që të përcjellë zërin e babait dhe bashkëshortit të saj, Jamarbër Malltezit, të cilët sipas saj me urdhër të kryeministrit Edi Rama ndodhen prej muajsh në “arrest shtëpie”.