Me një rrjet të gjërë lumor dhe mbi 600 rezervuarë në të gjithë territorin e vendit, Shqipëria vazhdon të mbetet ende një ndër vendet më të pasura me ujë në Europë, për frymë të popullisë. Shumica dërrmuese e popullsisë në zonat rurale sot furnizohet me ujë jo përmes rrjetit të ujësjellësave, por përmes puseve. Po ashtu, ujitja është e mbështetur në masë në ujërat që nxirren nga nëntoka dhe jo nga uji i lumenjve apo rezervuarave, për shkak të dëmtimit të rëndë të infrastrukturës që bën shpërndarjen e ujit.
Sipas ekspertëve, sot për të kërkuar ujë shpohet deri në 600 metra thellësi, duke nxjerrë në sipërfaqe rezerva të krijuara miliona vite më parë. Për pasojë, ka një rënie të fortë të nivelit të ujërave nëntokësore në fare pak vite. Në krahasim me 15 vjet më parë, në disa zona sot ujërat nëntokësore janë 10-14 metra më thellë. Specialistët thonë së këto rezerva që i marrim sot nëntokës janë shumë vështirë, për të mos thënë e pamundur, të rikrijohen.
Realiteti kontradiktor është se vendi ka sasi të madh uji sipërfaqësor dhe po e bazon furnizimin me ujë gjithnjë e më shumë në shfrytëzimin e rezervave që nuk rikuperohen më.
Hyrje
Nësë ke nevojë për të hapur një pus uji, mjafton të kërkosh në rrjet dhe do të gjeshë dhjetra kompani që ofrojnë këtë shërbim. Ato reklamojnë në rrjetet sociale procesin e punës, duke treguar suksesin që kanë në zbulimin e vendburimeve të ujit në fshtra të ndryshëm. Njëra prej tyre, reklamimin e fundit e ka në vitin 2017, por deri në atë kohë njoftonte se ka arritur të realizojë 1900 puse. Një tjetër përdor si slogan shprehjen “Le të ndërtojmë vendin tonë, duke filluar nga Toka”.
Pjesa dërrmuese e fshatrave të Shqipërisë nuk furnizohen me ujë të pijshëm nga rrjeti. Është e zakonshme tashmë që në fshatra, çdo familje/shtëpi, të ketë pusin e saj dhe ndërtimi i pusit është pjesë e projektit të banesës. Nuk ka të dhëna të sakta mbi numrin e puseve të ujit. Të regjistruar janë jo më shumë se 15.000, por sipas ekspertëve të fushës, numri real besohet se është mbi 100,000 në të gjithë vendin. Puset hapen sot për të siguruar furnizimin me ujë të dhjetra mijëra familjeve në fshatra si dhe qindra bizneseve që nuk kanë akses në rrjetin e ujësjellësit. Por ujërat nëntokësore shfrytëzohen masivisht edhe për ujitjen e tokave.
Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë, potencialisht me infrastrukturën egzistuese mund të mbulohet me ujitje një sipërfaqe rreth 360,000 ha, nga të cilat 285,000 ha ujiten me rrjedhje të lirë (gravitet) dhe furnizohen me ujë nga rezervuaret, lumenjtë dhe përrenjtë, ndërsa rreth 75,000 ha janë projektuar të ujiten me ngritjen e ujit me stacione pompimi, që aktualisht janë të gjithë jashtë funksioni. Shqipëria ka një rrjet prej 626 rezervuarësh, të shp;ërnadrë në të gjithë terrirotirn e vendid, që shërbenin për ujitjen e rreth 190.000 hektarë tokë. Por kapaciteti depozitues i tyre është gati përgjysmuar tashmë, ndërsa infrastruktura që bënte shpërndartjen e ujit ka pësuar një dëm të pakthyesihëm, në shumicën e saj. Kanalet ujitëse u dëmtuan pas vitit 1990, me ndarjen e tokave dhe copëzimin e parcelave të ish ndërmarjeve shtetërore. Po ashtu, u shkatërruan të gjitha stacionet e pompimit që bënin ngritjen e ujit nga lumenjtë për në kanalet që vinin në ujë tokat. Kjo bëri që fshatarët dhe fermat që po rritet, edhe me bahskimin e tokave, ti drejtohen nëntokës për të këruar burime ujore.
Sa e pasur është Shqipëria me ujëra nëntokësore?
Shqipëria është e pasur me ujëra nëntokësore, por duhet sqaruar se jo të gjitha rezervat e ujit nëntokësor praktikisht mund të shfrytëzohen. Arsyet janë nga me te ndryshmet, p.sh.; disa ujera ndodhen në thellësi te mëdha, disa te tjerë shkarkohen ne det, disa te tjerë nuk plotësojnë kushtet per tu pirë, dhe disa te tjerë paraqesin cilësi jo të mirë në përgjithësi. “Ato qe janë më të çmuara janë rezervat e ujerave nëntokësore qe mund te përdoren për pirje. Por çfarë ndodh? Këto rezerva shpesh cenohen në mënyrë krejt te gabuar si ne parim ashtu edhe teknikisht. Rezervat e ujit te pijshëm cenohen për qëllime sekondare ne mënyrë te pakontrolluar - thotë Z.Arben Pambuku, gjeolog, studiues i fushës së ujërave dhe ish drejtor i drejtorisë së politikave të burimeve ujore.
Per ilustrim me poshtë jepet një tabelë, se sa ujë i pijshëm merret nga një akuifer(zonë ujëmbajtëse), dhe koeficienti i përafërt i shfrytëzimit te akuiferit.
1- Disa shpime shfrytëzohen nga subjekte private me prurje 500 – 1000 l/sek
2- Sasia e përgjithshme që shfrytëzohej ne vitin 2003 ka qene: Tirana 1100 l/sek, ndërsa ne vitin 2023 arrin afro 2500 l/s.
3- Sasia e ujit që shfrytëzohet për ujë të pijshëm është 1600 - 1800 l/s
4- Sasia e ujit që shfrytëzohet për ujë teknologjik është rreth 250 - 500 l/s
5- Sasia e ujit që shfrytëzohet për vaditje është mbi 300 l/s
Riperteritja e rezervës ujore
Nëntoka nuk është një depozitë e pafundme. Ujërat nëntokësore ushqehen nga reshjet dhe burime të tjera sipërfaqësore, si rrjedha e lumenjve. Nëse ne i shfrytëzojmë ujërat nëntorkësore, përtej një cikli natyror shfrytëzim-rikuperim, atëherë kjo rezervë fillon të shterojë, të bjerë niveli. Që do të thotë se ne duhet të kërkojmë gjithnjë e më thellë për të gjetur ujë.
Ka të dhëna për rënien e nivelit, por këto te dhëna janë fragmentare megjithatë specialistet hidrogjeologë arrijnë të sjellin shembuj që e dëshmojn ë këtë fenonem. Në zonën e Rinasit, mes Fushë Krujës dhe Tiranës, niveli i ujerave nëntokësore në një pus te monitoruar, para 10-15 vitesh ishte 7.5 m, ndërsa sot thellësia për të siguruar ujë shkon 14-15 metra.
Ne pellgun e Tiranës, niveli i ujërave nëntokësore gjithashtu ka rënie të theksuar ne vazhdimësi si rezultat i shfrytëzimit ilegal dhe pa asnjë kriter. Luhatja e nivelit të këtyre ujërave në këtë zonë luhatet fort, nga 1 – 9 m.
Nëse do të ishim në kushtet e një shfrytëzimi normal te rezervave dinamike te një akuiferi, kjo rezervë rikuperohet brenda stinës përkatëse. Shfrytëzimi normal nënkupton nxjerrjen e ujit nga nëntoka ne sasi jo më të mëdha se ç’hyn në të nëpërmjet reshjeve apo trupave ujore sipërfaqesore. Thellësia në të cilën rigjenerohet rezerva e ujërave nëntokësore varet nga litologjia e akuiferit dhe vetitë hidraulike qe kanë shkëmbinjtë qe marrin pjese ne një akuifer te caktuar. Nga ana tjetër, rigjenerimi i rezervave është shume me i shpejte ne zonat fushore, ne rastet kur akuiferi ushqehet nga lumenjtë e me pas ne mënyrë sekondare nga reshjet. Ne Shqipëri akuiferet ne Ultësirën Perëndimore dhe Gropat e Brendshme shfrytëzohen me puse te cilat ne shumicën e rasteve nuk e kalojnë thellësinë e 100 m, pra kjo është edhe thellësia ne rastin specifik te vendit tonë për rigjenerimin stinor të ujërave nëntokësore. Dekadën e fundit thellësia e shpimeve është rritur, sepse nuk mund te sigurojmë më ujë të mjaftueshëm deri në 100 m.
Por, kur është krijuar rezerva ujore që ne shfrytëzojmë sot 50 - 100 metra thellësi? Dhe, mbi të gjitha, a rikuperohet më kjo rezervë ujore që ne shfrytëzojmë sot?
Rezerva në thellësi deri në 10 metra mund të rikuperohet edhe brenda një stine me reshje normale shiu, por në thellësi të mëdha, ajo është krijuar në mijera vite. Ne rastet e mbishfrytezimit të një akuiferi, rezervat fillojnë e bëhen të parigjenerueshme, edhe kur janë në thellsi të vogla. Ne këtë rast ndodh kolmatimi i shtresës së tokës, ose e thënë ndryshe, zënia e hapësirave ku deri dje lëvizte uji, nga thërrmija argjilore ose thërrmija te tjera me litologji te ndryshme qe ulin shkallën e mbushjes së akuiferit me ujë, shkallen e qarkullimit të ujit e si rezultat zvogëlohet hapësira gjeometrike e depozitimit të ujit, volumin efektiv te tij. Si rezultat nëse e mbi shfrytëzojmë një akuifer, si pasojë do të kemi prishjen e enës qe mban ujin nëntokë dhe zvogëlimin përfundimtar te kapacitetit ujëmbajtës dhe ujë dhënës të tij.
Por, për sa kohë mund ta shuajë nëntoka etjen tonë?
Ujë mund të gjendet në nëntokë në thellësi dhe forma te ndryshme. Ai gjendet ne formën e ujërave me presion-puse artezian duke u vetë derdhur mbi sipërfaqen e tokës por mund te gjendet edhe ne thellësitë mbi 1000 m, duke qene gjithmonë i shfrytëzueshëm. Ne Shqipëri, para viteve 90, ujërat janë shfrytëzuar me anën e puseve hidrogjeologjike deri ne thellësinë maksimale 80-100 m. Por mbas viteve 90` me shkatërrimin pothuajse totalisht të kontrollit mbi shpimet ilegale si edhe shfrytëzimi pa asnjë lloj kriteri i ujërave nëntokësore për përdorim familjar, industrial dhe bujqësor ka sjelle si pasojë rritjen e thellësisë së shpimeve, si brenda një akuiferi por edhe ne kërkim te një akuiferi të dytë poshtë të parit, për sigurimin e sasive me te mëdha uji. Sondat shqiptare sot kanë arritur te shpojnë puse për ujë deri ne thellësinë 600 m. Ne bregdetin lindor te Italisë shpimet kanë kapur thellësinë 1100-1200 m ne karbonatike per ujë te pijshëm. Shfrytëzimi agresiv i ujërave nëntokësore, për të furnizuar shtëpitë dhe ujitur tokat, ndodh në një kohë pur Shqipëria vazhdon të ketë ende rezerva të mëdha të ujit sipërfaqësor. Vendi ka një rrjet lumor të dendur dhe një sistem liqenesh natyrale dhe artificiale që sigurojnë pjesën më të madhe të rezervës së nevojshme të ujit për ujitje.
Shfrytëzimi agresiv i kësaj rezervë sjell si pasojë zvogëlimin e aftësive ujëmbajtese dhe ujëdhënese nga akuiferet e ujërave nëntokësore duke çuar ndonjëherë edhe shkatërrimin e plotë të tyre pra duke i kthyer ne jo ujëmbajtës. Ne rastet e mbishfrytezimit, kur preken rezervat statike mund të shkaktohet ulja masive e sipërfaqes së tokës, sidomos në zonat e ulëta fushore duke shkaktuar dukurinë e fenomeneve gjeodinamike, të cilat mund te sjellin dëme te konsiderueshme në veprat socio-industriale si edhe ne sistemit e bujqësisë.
Sa na ndikojnë ndryshimet e klimës?
Toka nuk prodhon ujë. Në ciklin natyral të qarkullimit të ujit, një pjesë e reshjeve përthithen nga toka dhe uji që përthithet depozitohet, ruhet aty. Në rastin e maleve, ata e “lëshojnë” ujin e përthithur në mënyrë graduale, duke ushqyer rrëketë, përrenjtë dhe lkumenjtë, rë rastin e fushave ai “fle”. Që toka të përthithë mjaftueshëm ujë, duhet që reshjet të bien të shtgrira në kohë. Që malet të rezervojnë ujë, duhet që ata të depozitojnë borë dhe të kenë shtresë humusi, e cila shërben si sfungjer për të absorbuar ujin. Por çfarë kanë sjellë ndryshimet klimatike në këtë rregull të vjetër të natyrës?
Reshjet janë çrregulluar, dhe bien në formën e rrebesheve të shpejta duke mos i dhënë kohë tokës të përthithë ujin.
Reshjet e borës po pakësohen, duke mos krijuar rezerve për stinën e verës.
Pyjet janë pakësuar dhe malet nuk përthithin ujë mjaftueshem për sistemin lumor.
Pasoja?
Lumejtë vërshojnë në mënyrë agresive në stinën e reshjeve dhe shterojnë drejt tharjes në verë.
Ndryshimet klimatike kanë vështirësuar se tepërmi rikrijimi i rezervës së ujërave nëntokësore. Nga ana tjetër, rezerva shfrytëzohet me te njëjtin ritëm në të njëjtën kohe kur ritmi i mbushjes është tepër i ndryshëm. Së pari, akuiferi mund të mbushet me intensitet të lartë brenda një jave dhe në fund të një sezoni të caktuar kur natyralisht duhet te rimbushet në mënyrë te harmonizuar dhe për një periudhe kohe relativisht të gjatë, që i jep mundësi ujit të ketë kohë të infiltrohet në thellësi. Kjo është e lidhur kryesisht me depozitimet në Ultësirën Perëndimorë, ku është përqendruar popullsia me e madhe e vendit tonë
Zvogëlimi i fondit te tokës bujqësore, rritja e sipërfaqeve urbane, shpyllëzimet, mungesa e shtresës së dëborës, reshjet që bien në kohë të shkurtër dhe me intensitet te lartë kanë prishur një tjetër balancë natyrore. Raporti normal në vendit tonë për infiltrimin e reshjeve në nëntokë ndaj atyre që rrjedhin në sipërfaqe ka qene 35-65 %, pra 35% depozitohej dhe 65% rridhte. Sot ky raport ka ndryshuar dhe sipas një vlerësimi të bërë në raportet mjedisore të viteve 1998-2023 ky raport arrin në vlerat 30% depozitim dhe 70 % rrjedhje.
Përpjekjet për të kontrolluar “industrinë e puseve”
Në vitin 2017 pati një përpjekje pëqr të vënë nën kontroll shfrytëzimin e ujërave nëntokësore. U mirtau një ligj, që e konsideron pusi një “objekt” dhe si ti tillë për të duhet të merret leje ndërtimi. Madje uji i puseve do të tarifohej nga qeveria, njësoj si uji i rrjetit. Duke ruatur këtu një kuotë, për atë që quhej uji për përdorim familjar dhe kjo u përllogarit me thellësinë e pusit, pra puset deri në 15 metra thellësi nuk do të tarifoheshin. U përcaktuan madje edhe saksionet finaciare, gjobat, që do të vendosesh për moszbatimin e ligjit. Por i ashtuquajturi proces i legalizimit të puseve mbeti në letër.
Përsa kohë shteti nuk suguron furnizimin e banorëve me ujë për përdorim familjar, apo bujqësor e industrial, atëherë çdo masë për të kontrolluar hapjen e puseve duket e tepërt. Sipas ekspertëve, problemi nuk është tek tarifimi, por tek shfrytëzimi. “Ne po shfrytëzojmë për ujitje ujëra që janë depozituar ndër shekuj dhe që mund të mos rikuperohen dot kurrë, ndërsa na kalon lumi mes përmes tokave” – thotë inxhinieri Arben Pambuku.
*Ky artikull është pjesë e një fushate mediatike ndërgjegjësimi për çështjen e ndryshimit të klimës, në kuadër të projektit “Ndërgjegjësimi për ndryshimet e klimës: Ndikimi i partive politike për politikat klimatike”, zbatuar nga organizata Forumi i Mendimit të Lirë, mbështetur financiarisht nga Programi i Granteve të Vogla të Komisionit për Demokraci i Ambasadës së SHBA në Tiranë. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë te autorve dhe nuk përfaqesojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit.
Produktet mediatike për llogari të këtij projekti u përgatitën nga organizata Forumi i Mendimit të Lirë, me asistencën e studiuesve të fushës së bujqësisë, ujërave dhe çështjeve të klimës: Arben Muka, Albert Kopali dhe Arben Pambuku.