Policia e Tiranës ka proceduar penalisht tre persona, të cilët gjatë protestës së djeshme në Bashkinë e Tiranës kanë kundërshtuar punonjësit e policisë së rendit publik.
Në njoftim thuhet se janë proceduar penalisht shtetasit K. K., 27 vjeç, S. G., 40 vjeç, dhe A. Q., 63 vjeç, për veprat penale "Prishja e qetësisë publike", dhe "Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik".
Gjithashtu, janë shpallur në kërkim shtetasit Z. B., 19 vjeç, R. D., 19 vjeç, dhe N. M., 57 vjeç, për veprat penale "Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik", "Prishja e qetësisë publike", "Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse", "Shkatërrimi i pronës me zjarr", dhe "Goditjet për shkak të detyrës", ndërsa materialet i kaluan Prokurorisë.
Kujtojmë që ditën e djeshme u mbajt protesta e 5-të para bashkisë së Tiranës, ku kërkohej dorëheqja e Erion Veliajt. Protesta nisi e qetë, por më pas pati përplasje mes protestuesve me policinë si dhe hedhje molotov.
Njoftimi i policisë së Tiranës:
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, në lidhje me aktet e dhunshme të ushtruara gjatë protestës së zhvilluar ditën e djeshme, përpara Bashkisë Tiranë, nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, në vijim të veprimeve hetimore e procedurale dhe nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, procedoi në gjendje të lirë shtetasit:
- K. K., 27 vjeç, S. G., 40 vjeç, dhe A. Q., 63 vjeç, për veprat penale "Prishja e qetësisë publike", dhe "Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik".
Gjithashtu, janë shpallur në kërkim shtetasit Z. B., 19 vjeç, R. D., 19 vjeç, dhe N. M., 57 vjeç, për veprat penale "Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik", "Prishja e qetësisë publike", "Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse", "Shkatërrimi i pronës me zjarr", dhe "Goditjet për shkak të detyrës", ndërsa materialet i kaluan Prokurorisë.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë respekton plotësisht të drejtën e qytetarëve për të organizuar dhe marrë pjesë në tubime paqësore.